Bllacë: Taksa rrugore mbetet në fuqi
Taksa rrugore maqedonase për shtetasit e Kosovës vazhdon të jetë në fuqi! Çdo kosovar që hyn në Maqedoni paguan dy euro.Hatixhe Haliti që kaloi kufirin rreth orës 18 nga Hani i Elezit për në Bllacë, me tre fëmijët e saj, thotë për Radion Evropa e Lirë se pagoi 8 euro për të hyrë në Maqedoni.“Kam paguar tetë euro! Për mua dhe fëmijët. Po të merrja edhe veturën, do të paguaja 10 euro plus, andaj e kam lënë matanë kufirit, dhe kufirin e kalova në këmbë”, thotë gruaja e revoltuar.Ajo rrëfen se policia kufitare në Bllacë i ka thënë se vendimi për taksën rrugore është ende në fuqi dhe se “ndoshta nesër do të hiqet”.“Por, sot është kështu, paguhet për të hyrë”, përcjell Hatixheja fjalët e policit kufitar maqedonas.Edhe Driton Jasiqi, i cili kaloi kufirin, thotë se pagoi nëntë euro, edhe pse kishte marrë lajmin në Prishtinë se taksat ishin hequr.“Nuk lëshuan, na thanë se duhet të paguajme pesë euro për makinën dhe dy euro për person, kështu që na i morën nëntë euro gjithsej”, thotë Driton Jasiqi.Policët kufitarë, ndërkaq, refuzojnë të flasin për mediat, të cilave u kërkojnë që shpjegimet për çfarëdo çështje t’i kërkojnë në Shkup.Një doganier thotë se taksat do të paguhen derisa të marrin ndonjë urdhër tjetër nga Shkupi.Qeveria maqedonase nuk është prononcuar për këtë çështje gjatë tërë ditës.Përderisa Prishtina zyrtare, gjegjësisht këshilltari i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi ka thënë se taksa rrugore është abroguar, në terren del të jetë e kundërta, se ajo vazhdon të mbetet në fuqi.Sipas masave të reja administrative maqedonase që kanë hyrë në fuqi të dielën më 8 shtator, secili shtetas i Kosovës që dëshiron të hyjë në Maqedoni duhet të paguajë 2 euro për person, 5 euro për veturë, 10 euro për autobus, dhe 20 euro për kamion.Në pikën kufitare të Bllacës, vërehej qarkullim i dobët i automjeteve.