Kufiri Kosovë-Maqedoni ende i bllokuar
Pika kufitare në Han të Elezit që lidh Kosovën me Maqedoninë vazhdon të mbetet e bllokuar nga kamionë të firmave maqedonase, të cilët po protestojnë në shenjë revolte ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për bllokimin e mallrave nga ky shtet.Kufirin në këtë pikë, qytetarët po detyrohen ta kalojnë në këmbë. Ata thonë se janë të janë të zemëruar me autoritetet maqedonase, pasi po paguajnë nga dy euro për person. Ata i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që mos të tërhiqet nga vendimi për bllokimin e produkteve maqedonase.Bllokada e rrugëve që çojnë për në kufirin maqedonas-kosovar janë rezultat i "betejës" tregtare ndërmjet të dy vendeve, e cila u nxit pas ndalimit të importit të miellit dhe grurit të prodhuar në Kosovë për në Maqedoni.Më pas Kosova vendosi embargo ndaj produkteve maqedonase. Të dielën Shkupi zyrtar e çoi më tej këtë reciprocitet, por jashtë aspektit tregtar. Maqedonia futi një taksë rrugore, ku secili kosovar që shkel tokën maqedonase duhet të paguaj 2 euro, ndërsa për makinë 5 euro. Prishtina u irritua nga ky vendim dhe nga e hëna mbylli kufirin për të gjitha produktet e prodhuara në Maqedoni.Ditë më parë në Prishtinë qëndroi edhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë Valon Saraqini, i cili u prit nga ministrja Kusari-Lila dhe ministri i Financave Besim Beqaj. Zgjidhje megjithatë për tejkalimin e këtyre telasheve nuk u gjet.