Zhbllokohet kufiri Kosovë-Maqedoni, Shkupi heq taksën prej 2 eurosh

Tashmë qytetarët e Kosovës mund të kalojnë kufirin me Maqedoninë pa paguar taksën prej dy eurosh, ka thënë Driton Lajçi, këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, duke e konfirmuar se shteti fqinj ka hequr dorë të paktën nga njëra masë e vendosur ndaj Kosovës.Gjatë gjithë ditës, sipas Lajçit, numri dy i Qeverisë së Kosovës, ka qenë në kontakte me zyrtarët e Maqedonisë dhe, sipas tij, pritet që sonte ose nesër, situata t’i kthehet normalitetit.“Nuk ka një marrëveshje në kuptimin klasik, por është arritur pajtimi për taksën prej 2 eurosh, fillimisht, e shumë shpejt do të hiqen të gjitha masat që Maqedonia i ka vendosur Kosovës. Normalisht, edhe Kosova do të reagojë menjëherë për masat e veta”, ka konfirmuar nëpërmjet telefonit Lajçi.Më herët gjatë ditës, Driton Lajçi, këshilltar i zëvendës kryeministrit të Kosovës, ka hedhur poshtë njoftimet se vizita e zotit Kuçi është anuluar, duke thënë se “vetëm ka ndryshuar forma e komunikimit”.Kufiri është i bllokuar që nga dita e martë, nga ana maqedonase, me kamionë të Shoqatës së Transportuesve “MakmaTrans”, në shenjë kundërshtimi me vendimin e qeverisë së Kosovës për të sanksionuar hyrjen e prodhimeve maqedonase në Kosovë.Vendimi për këtë embargo ka pasuar vendimin e Shkupit zyrtar për të vënë taksa hyrjeje për qytetarët e Kosovës.Ndërkohë, shoqata “Makamtrans”, e cila ka bllokuar kufirin, në Bllacë ka kumtuar se në shenjë të vullnetit të mirë do të zhbllokojë rrugën për automjetet nga 30 minuta në çdo dy orë deri në zgjidhjen e tërësishme.Përfaqësuesja e shoqatës së transportuesve të Maqedonisë, Biljana Muratovska, thotë se ky vendim është marrë pas sinjaleve pozitive nga politikanët se mund të zgjidhet kontesti mes Prishtinës dhe Shkupit rreth këmbimit tregtar.“Në shenjë të vullnetit të mirë sot kemi vendosur të bëjmë lëshime të vogla. Derisa politikanët e njërës dhe anës tjetër negociojnë, ne do të zhbllokojmë akset rrugore për kalimin e automjeteve nga 30 minuta çdo dy orë, me qëllim që të ulet tensioni i krijuar", ka bërë të ditur Muratovska.Mundësinë për zgjidhjen e kontestit e ka paralajmëruar edhe Qeveria e Maqedonisë, ndërsa si formë e mundshme përmendet heqja njëkohësisht e vendimeve nga dy vendet me çka do të vije deri te normalizimi reciprok.Ministri i Ekonomisë në qeverinë e Maqedonisë, Valon Saraçini, sot është shprehur optimist për zgjidhjen e ngërçit tregtar Maqedoni-Kosovë duke theksuar se takimi i sotëm në nivel të lartë mes dy qeverive , Prishtinës dhe Shkupit pritet të rezultojë me një zgjidhje përfundimtare të problemit.“Gjetja e zgjidhjes është prioritet i lartë i qeverive dhe i dy vendeve, dhe kjo duhet të ndodhë. Pas takimeve që patëm në Prishtinë me ministrat e Tregtisë dhe të Financave, vlerësoj se punët lëvizën në drejtimin e duhur. Dialogu ka filluar dhe janë krijuar kushtet për fillimin e një procesi i cili duhet të çojë në arritjen e zgjidhjes së pranueshme për të dyja palët. Takimi i sotëm në nivel më të lartë qeveritar, duhet të rezultojë me një zgjidhje përfundimtare të problemit”, është shprehur Saraçini.