Prokurori i Përgjithshëm, Ruçi letër Presidentit Nishani: Po shkarkoni kundra ligjit Ramën

Në përfundim të turit të konsultimeve për emrin e ri të Prokurorit të Përgjithshëm, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Rucit i bën apel presidentit Bujar Nishani që të mos shkelë Kushtetutën me “konsultimet” e ndërmarra për zgjedhjet e kryeprokurorit. Përmes një letre Ruci thekson se çdo veprim për largimin nga detyra para përfundimit të mandatit të kryeprokurores Ina Rama, do ishte i kundërligjshëm. Ky do ishte de facto një shkarkim! Letra e plotë vijon si më poshtë:I nderuar zoti President,Ju keni kërkuar të zhvilloni takime konsultuese me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, të cilat synojnë të evidentojnë vlerat më të mira që duhet të përfaqësojë figura e ardhshme e Prokurorit të Përgjithshëm si një pozicion i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.Ne vlerësojmë se Prokurori i Përgjithshëm i Republikës është një funksion themelor kushtetues për funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Por po ashtu ne vlerësojmë se nuk janë partitë ato që përcaktojnë vlerat që duhet të mishërojë Prokurori i Përgjithshëm. Këto vlera i dikton Kushtetuta e Republikës prej së cilës Ju duhet të udhëhiqeni në çdo hap zoti President !Ndërkohë që më lejoni t’Ju them se duke organizuar këto “takime konsultuese” me përfaqësuesit e partive Ju rrezikoni ta shkelni Kushtetutën në frymë dhe në gërmë. Kjo është qoftë arsyeja që Partia Socialiste refuzon të marrë pjesë në një proces kërcënues për Kushtetutën e Republikës, qoftë arsyeja pse Ju shkruaj për t’Ju ardhur në ndihmë që të mos shkelni Kushtetutën duke ndërmarrë “takime konsultuese” për të shkuar drejt largimit të Prokurores së Përgjithshme nga detyra.Ju ftoj të konsideroni argumentat e mëposhtëm :1. Çdo veprim për largimin nga detyra para përfundimit të mandatit të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, do të ishte i kundërligjshëm. Ky do të ishte de facto një shkarkim ! Por për një hap të tillë, maxhorancës, por dhe juve personalisht do t’ju duhej të faktonit shkeljet që parashikon Kushtetuta e ligji – ndërkohë që Ju hapni “takime konsultuese” shkelje të kësaj natyre nuk duken gjëkundi.2. Sipas të drejtës kushtetuese funksioni i Prokurorit të Përgjithshëm, i marrë me normat e mëparshme kushtetuese është pa mandat të kufizuar sepse emërimi i znj. Ina Rama si Prokurore e Përgjithshme është bërë në kushtet kur Kushtetuta (ligji i kohës) nuk parashikonte kufizimin e mandatit për këtë funksion publik.3. Në kushtet kur, kushtetutbërësi ka shprehur vullnetin e tij për një funksion publik kaq të rëndësishëm, sikurse është funksioni i Prokurorit të Përgjithshëm, duke parashikuar, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese një mandat pesëvjeçar, si edhe për të bërë të zbatueshëm këtë vullnet të kushtetutbërësit, përsëri afati ligjor për të konsideruar të përfunduar mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm nuk fillon nga data e emërimit, por data e marrjes fuqi juridike të kësaj norme të re kushtetuese. Në këtë rast s’ka asnjë dyshim se afati ligjor për t’u konsideruar si përfundim i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë është data 23 Maj 2013 dhe asnjë ditë më parë.Zoti President,Asnjë lloj doktrine kushtetuese nuk e njeh a priori fuqinë prapavepruese të një amendamenti kushtetues, përveçse kur vetë legjislatori kushtetues e parashikon atë. Kuvendi kishte detyrën e nxjerrjes së dispozitës tranzitore pas ndryshimeve kushtetuese më 2008, por ende sot nuk e ka bërë këtë.Norma kushtetuese që kufizoi mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm në 5 vjet i fillon efektet e veta jo në datën e zgjedhjes së Prokurorit aktual (më datë 22.11.2007), por nga dita e hyrjes së normës së re kushtetuese në fuqi, pra më datë 23 Maj 2013.Kemi çmuar ndërkohë se edhe partnerët tanë ndërkombëtarë e kanë bërë publikisht të njohur qëndrimin e tyre se mandati i prokurorit të Përgjithshëm përfundon më 23 Maj 2013.Prandaj jemi plotësisht të bindur se çdo veprim në kundërshtim me këtë parim kushtetues do të ishte një akt i rëndë kundër institucioneve të Republikës, me pasoja të paparashikueshme.Kështu që Zoti President, Ju ftoj që përpara çdo diskutimi e veprimi për “figurën e ardhshme të Prokurorit të ri të Përgjithshëm”, të qartësoni qëndrimin tuaj lidhur afatin kushtetues të mandatit të Prokurores së Përgjithshme të Republikës aktualisht në detyrë.Gramoz RUCIKryetar i Grupit Parlamentar SocialistArgumenta kushtetuese dhe ligjore lidhur me mandatin kushtetues të Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë.Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, znj.Ina Rama është zgjedhur më datë 22.11.2007. Baza kushtetuese e emërimit të saj ishte neni 149 paragrafi i parë i Kushtetutës ku parashikohej shprehimisht se “Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit”. Ky rregullim kushtetues nuk parashikonte afat për mandatin e këtij funksioni, ndërsa ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, me të cilat u kufizua në pesë vjet ushtrimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk kanë parashikuar ndonjë dispozitë kalimtare për rregullimin e kohëzgjatjes së mandatit ekzistues.Në kushtet e mungesës së një dispozite kalimtare, Jemi të mendimit se fillimi i procedurës për zëvendësimin përpara afatit të Prokurorit të Përgjithshëm sjell në vëmendjen e opinionit publik, juridik, por edhe politik disa probleme me natyrë kushtetuese.Në radhë të parë, ndërprerja e një mandati kushtetues, të pakufizuar në kohë, është me pasoja antikushtetuese dhe që implikon rëndë parimin e ndarjes dhe të balancimit ndërmjet pushteteve. Shmangia e rrezikut të abuzimit me pushtetin dhe e përqendrimit të tij në duart e një organi ose të personave të caktuar përbën thelbin e këtij parimi thelbësor kushtetues. Ushtrimi i pushteteve në mënyrë të pavarur dhe të balancuar orienton organet përkatëse drejt gjetjes së zgjidhjeve kushtetuese. Fillimi i procedurave për një ndërhyrje përpara afatit në mandatin kushtetues të Prokurorit të Përgjithshëm cenon rëndë pavarësinë e tij dhe krijon probleme serioze për ligjitimitetin kushtetues të pushteteve.Një cënim i rëndë i shkaktohet parimit kushtetues të shtetit të së drejtës, sipas të cilit ligjet dhe, për më tepër Kushtetuta, efektet e tyre i fillojnë nga momenti i miratimit. Është një parim i njohur dhe i gjithëpranuar i së drejtës, sipas të cilit norma juridike nuk disponon për fakte dhe rrethana që kanë ndodhur në të shkuarën, përveç rasteve kur vetë norma shprehet për këtë gjë.Ndryshimet kushtetuese nuk kanë fuqi prapavepruese, përjashtimisht rastit kur vet ligjvënësi kushtetues e parashikon atë shprehimisht. Normës kushtetuese që kufizon mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm nuk rezulton t’i jetë dhënë fuqi prapavepruese as në nenin 149 të Kushtetutës (të ndryshuar) dhe as në ligjin nr. 10051, datë 29.12.2008, i cili ndryshoi ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.Prokurori i Përgjithshëm është emëruar në kohën kur Kushtetuta nuk parashikonte një mandat të kufizuar në kohë dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që përcaktojnë një kohëzgjatje pesëvjeçare të mandatit kanë hyrë në fuqi pas emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm në këtë funksion. Pra, rregullimi kushtetues i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm ka qenë i pakufizuar në momentin e emërimit, por i kufizuar në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.Moscënimi, por vijimësia e ushtrimit të mandatit nga organet kushtetuese përbën një standard të konsoliduar për ruajtjen e pavarësisë së tyre, që gjendet i formuluar në çdo kushtetutë demokratike. Ky është rregullimi që ka gjetur parashikim edhe në dispozitat kalimtare të Kushtetutës aktuale, në nenin 179 të së cilës sanksionohet vazhdimi i mandatit të disa funksioneve të rëndësishme publikë.Në kushtet kur, kushtetutbërësi ka shprehur vullnetin e tij për një funksion publik kaq të rëndësishëm, sikurse është funksioni i Prokurorit të Përgjithshëm, duke parashikuar, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese një mandat pesëvjeçar, si edhe për të bërë të zbatueshëm këtë vullnet të kushtetutbërësit, përsëri afati ligjor për të konsideruar të përfunduar mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm nuk fillon nga data e emërimit, por data e marrjes fuqi juridike të kësaj norme të re kushtetuese. Nisur nga rregullimi që ka parashikuar vet ligji nr.9904, datë 21.04.2008 “Për disa ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998 "Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, i shpallur me dekretin nr.5700, datë 6.5.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe i botuar në Fletoren Zyrtare nr.61, të datës 7 maj 2008, rezulton se ky ndryshim kushtetues ka hyrë në fuqi më datën 23.05.2008. Përderisa ndryshimet kushtetuese kanë hyrë në fuqi në këtë datë, rrjedhimisht nga ky moment dhe jo nga data e emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm llogaritet mandati 5 vjeçar i këtij funksioni kushtetues.Të njëjtin qëndrim e ka mbajtur edhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në rastin e propozimit për ndryshimin kushtetues për ndërprerjen para afatit të mandatit të Presidentes së Republikës, përmes një veprimi retroaktiv të amendamentit kushtetues të propozuar me paketën e re kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ndër të tjera arsyeton në vendimin e saj se “… ndërprerja e parakohshme e mandatit të Presidentit, sic parashihet me amendamentin e propozuar, ndikon në parimet themelore kushtetuese, në vecanti, parimin e ndalimit të shkurtimit të mandatit të fituar ligjerisht të postit kushtetues, si dhe parimin e mbrojtjes së besimit të arsyetuar të qytetarëve në ligjet e Kosovës dhe të zgjedhjes dhe mandatit të Presidentit të tyre duke u bazuar në ato ligje”. Në përfundim Gjykata ka konkluduar se “… amendamenti i propozuar, me të cilin shkurtohet mandati i Presidentes aktuale të Republikës, pakëson të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës”.Ndodhur në këtë rrethana dhe mbi analizën që i bëhet parimeve kushtetuese, të cilat përbëjnë thelbin e funksionimit të një demokracie kushtetuese, Jemi të mendimit se çdo veprim i kryer në kundërshtim me këto standarde kushtetuese dhe që do të materializohej në zëvendësimin antikushtetues të Prokurorit së Përgjithshëm, me synim zgjidhjen e problemeve politike afatshkurtra jo vetëm që do të ishte një akt ndaj institucioneve të Republikës dhe me pasoja të rënda, por gjithashtu do të kthehej në një precedent negativ për kufizimin në të ardhmen të mandatit të çdo organi tjetër kushtetues.