Klubi i Patriotëve të Rinj, thirrje Berishës të nderojë figurat e vendit
Korça ishte ndalesa e radhës e turit homazh "Rrugëtim në gjurmët e rilindasve" të organizuar nga Pasardhësit e Rilindasve dhe Klubi i Patriotëve të Rinj. Pasi ishin nderuar figurat e ndritura të Rilindjes Kombëtare në qytetet e Pogradecit dhe të Korçës, ku u vendosën kurora në kujtim të tyre, u organizua një aktivitet qëndror në mjediset e Hotel Grand në Korçë.Në sallën e mbushur plot me më shumë se 200 pjesëmarrës u recituan poezi patriotike nga nxënës të shkollës Thimi Marko dhe muzikë e përzgjedhur nga kori historik Lira, i cili këtë vit mbush 80 vjet ekzistencë. Pasardhës të rilindasve, antarë të KPR dhe mbështetës të këtij turi homazh u prezantua nisma e ndërmarrë nga Pasardhësit e Rilindasve dhe KPR për të dërguar një kërkesë zyrtare drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, për ndërtimin e një panteoni ku do të prehen të gjitha figurat e rilindjes kombëtare."Jam krenar që sot nga Korça, vatra e nacionalizmit dhe Rilindjes Shqiptare, në emër të Pasardhësve të Rilindasve dhe Klubit të Patriotëve të Rinj po prezantojmë kërkesën zyrtare drejtuar qeverisë shqiptare për ngritjen e një panteoni ku do të prehen të gjithë ata që kanë kontribuuar për pavarësinë dhe mirëqënien e kombit tonë, të atyre që shpallën Shqipërinë e pavarur nga Preveza deri në Mollën e Kuqe. Janë 20 pinjoll të familjeve të mëdha patriotike, pasardhës të Rilindasve dhe qindra antarë të Klubit të Patriotëve të Rinj që kanë nënshkruar këtë kërkesë, e cila do t'i dërgohet publikisht kryeministrit, sapo të përfundojë ky tur homazh që po zhvillojmë" - deklaroi Ardit Bido, në emër të Klubit të Patriotëve të Rinj dhe Pasardhësve të Rilindasve.Koordinatorja e Pasardhësve të Rilindasve, znj. Elida Jorgoni vendosi theksin në rëndësinë e përkujtimit të atyre që dhanë gjithçka për atdheun. "Në këtë tur homazh që po kryejmë anekënd ish vilajetit të Manastirit ne po përkujtojmë patriotët shqiptarë që punuan pa lodhur për të parë Shqipërinë të pavarur dhe të bashkuar. Kontributi i tyre është ajo çka ne sot po jetojmë, për këtë arsye duhet të punojmë në rrugën e tyre dhe t'i përkujtojmë me respektin që meritojnë" - tha znj. Jorgoni.I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe zëvendësministri i Arsimit dhe i Shkencës, z. Ardian Tana, i cili përshëndeti homazhin në përkujtim të figurave të ndritura të kombit tonë. "Përshëndes këtë nismë tëPasardhësve të Rilindasve dhe të Klubit të Patriotëve të Rinj, të cilët po përkujtojnë figurat e ndritura të kombit tonë, që mundësuan lëvrimin dhe ruajtjen e gjuhës sonë, pavarësuan Shqipërinë dhe luftuan deri në fund të jetës për një Shqipëri të pavarur në të gjitha trojet kombëtare" - deklaroi z. Tana.Pasardhësja e Mehmet Pashë Dërrallës, themeluesit të ushtrisë shqiptare, delegat në Kuvendin e Vlorës dhe ministër i parë i Luftës në qeverinë e Ismail Qemalit, znj. Valdete Dërralla e emocionuar deklaroi se kujtimi i paraardhësve të saj është një kujtim që rrek në zemrat e të gjithë shqiptarëve. "Fakti që sot ne këtë amanet ia kalojmë të rinjve, pasi siç shihni këtu jemi të bashkuar të rinj e të moshuar, më bënë me besim se ideali për të cilën luftuan paraardhësit tanë do të realizohet" - deklaroi znj. Dërralla.Në aktivitet përshëndeti aktori i mirënjohur Gulielm Radoja, i cili ka qenë aktori që ka luajtur Ismail Qemalin në filmin "Nëntori i Dytë". Z. Radoja vlerësoi nismën e ndërmarrë dhe përgëzoi bashkimin e brezave për idealet e përbashkëta kombëtare.Kërkesa drejtuar kryeministrit e nënshkruar nga pasardhësit e rilindasve dhe KPR u lexua në emër të tyre nga z. Bido. "Ne, pasardhësit e drejtpërdrejtë të rilindasve të kombit shqiptar, nipër dhe mbesa të tyre, dhe përfaqësues të rinisë patriotike shqiptare, ju drejtohemi me anë të kësaj kërkese, për të vendosur në piedestalin që meritojnë figurat e ndritura të Rilindjes Kombëtare, baballarët e shtetit modern shqiptar.Kërkesa do t'i prezantohet zyrtarisht qeverisë shqiptare pas përfundimit të turit. Turi homazh "Rrugëtim në gjurmët e Rilindasve" do të kulmojë në qytetin e Manastirit.