Kryeprokurori, Nishani: Partitë në unison kërkuan profesionalizëm, integritet dhe pavarësi

Prezidenca zbardh takimin e Kreut të Shtetit me përfaqësuesit e partive parlamentare për emrin e kryeprokurorit të ri.Sic bën me dije njoftimi nga zyra e shtypit të Presidencës, në vijim të praktikës së konsultimit me forcat politike parlamentare, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot takime me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi; me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi; me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka; me Kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule; me Kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi si dhe me një përfaqësi të Partisë Republikane.Në këto takime, të cilat u zhvilluan në prag të përfundimit të mandatit të ushtrimit të detyrës nga Prokurori i Përgjithshëm, Kreu i Shtetit kërkoi të shkëmbeheshin mendime rreth vlerave më të mira që duhet të përfaqësojë Prokurori i Përgjithshëm i Republikës.Të gjithë përfaqësuesit e forcave politike vlerësuan pozitivisht procesin e konsultimeve si një mundësi dhe hapësirë për të prezantuar pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre në lidhje me çështjen e objektit të takimit.Në tërësi, përfaqësuesit e forcave politike shprehën pritshmëritë e tyre për një nivel të lartë profesionalizmi, integriteti dhe pavarësie institucionale nga figura e Prokurorit të Përgjithshëm.Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Ruçi shprehu qëndrimin se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm aktual nuk përfundon në fundin e këtij muaji, por në muajin maj të vitit të ardhshëm.Presidenti i Republikës sqaroi, se në respekt të Kushtetutës së vendit dhe ligjit organik të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës ka një mandat 5-vjeçar.Mandati përbën periudhën kohore gjatë së cilës i emëruari ushtron funksionin e tij.Në referim të të gjitha praktikave gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, fillimi i mandatit i referohet ditës së emërimit apo betimit (nëse kërkohet betimi) dhe përfundon në të njëjtën ditë dhe muaj të vitit të fundit të afatit të përcaktuar në ligj.Presidenti i Republikës e vlerësoi shumë lart procesin e këtyre konsultimeve, po edhe të shkëmbimit të pikëpamjeve si pjesë e transparencës dhe e komunikimit midis institucioneve.