SHBA e BE kërkojnë dialog, Arvizu e Sequi: Integrimi kërkon kompromise

Kortezia nuk do të lëndonte askënd. Ka qenë kjo përgjigjia diplomatike e ambasadorit të SHBA në vendin tonë Aleksandër Arvizu në mbyllje të seancës parlamentare, lidhur me largimin e opozitës nga salla. Ndërsa ndoqi punimet nga llozha e Kuvendit, Arvizu tha se gjatë gjithë seancës dëgjoi vetëm prezantimin e programit, si për të treguar se argumentat e opozitës që dha për largimin e saj nga parlamenti nuk qëndronin.“Të gjithë ne që ishim të pranishëm në sallë kemi dëgjuar vetëm programin. Nuk mendoj se kortezia do të lëndonte askënd”tha ai.Ndërkaq Ambasadori i BE, Ettore Sequi, vlerësoi faktin se kjo qeveri integrimin në BE e ka si kryefjalë dhe objektiv kryesor në programin e saj. Sequi theksoi se parlamenti shqiptar është arenë e gjallë e diskutimit politik, por sipas tij është me rëndësi të ketë dhe dialog.“Doja të theksoj se pika e parë e programit të qeverisë së re ka të bëjë me integrimin në BE, dhe kishte një fjali të cilën e kam mbajtur shënim dhe do doja ta theksoja: “Integrimi evropian është një objektiv kombëtar dhe i shërben demokratizimit të shoqërisë shqiptarë në bazë të vlerave të BE”. Është e rëndësishme që është nënvizuar si prioritet i qeverisë. Ne e dimë se shumica e shqiptarëve janë dakort që Shqipëria të shkojë drejt BE, dhe kjo kërkon gjithëpërfshirje dhe bashkëpunim. Është e qartë se parlamenti ka një rol të vecantë në këtë cështje. Parlamenti shqiptar është arenë mjaft e gjallë e diskutimit politik. Një arenë duhet të jetë e gjallë, por e rëndësishme të ketë dialog. Është detyrë jo fort e lehtë, por është e njohur botërisht se mund të arrihet dhe sigurisht ky është një koncept europian. Jam i sigurt se secili do të kontribuojë për këtë dialog për të ecur para” theksoi Sequi.