Rama prezanton mbi 1 orë programin qeverisës, opozita lë parlamentin

Ora 18:10 ka shënuar edhe fillimin e seancës plenare të ditës së sotme, ku do të prezantohet programi qeverisës i ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’ për katër vitet e ardhshme si dhe prezantimi i Ministrave të kabinetit të kryeministrit Edi Rama.Sikundër në dy seancat paraardhëse edhe në të sotmen trupa diplomatike e Ambasadorëve rezidentë në vendin tonë kanë qenë aty, në llozhat e Kuvendit për të ndjekur nga afër fjalimin e parë të Kryeministrit, por dhe për tu njohur me programin e qeverisë.Me Kryeministrin e ri dhe Ministrat të pozicionuar tashmë në vendet e tyre përkatëse, deputetët dhe gjithë të pranishmit, Kryeparlamentari Ilir Meta e nisi seancën, të parën pas marrjes së detyrës një ditë më parë, me betimin e deputetit dhe ish-ministrit të Financave Ridvan Bode, për shkak të mungesës së tij të martën.“Fillojmë seancën e ditës së sotme, e cila si cështjen e sotme ka prezantimin e programit politik dhe përbërjen e Këshilit të Ministrave në vijim dhe të dekreteve të Presidentit të Republikës të cilat janë para jush. Para se të vijojmë me rendin e ditës, ku kemi zhvilluar dhe me krerët e grupeve parlamentare. Do të ftoja deputetin Ridvan Bode për të bërë betimin. Do kemi kohën deri nesër në orën 00:00 për të dorëzuar pyetjet në lidhje me programin që qeveria të përgatitet. Seanca që do të vijojë me debatin që do të zhvillohet të shtunën në orën 10:00”, tha Meta.Menjëherë pas kësaj Meta i ka dhënë fjalën Kryeministrit të ri Edi Rama. Ky i fundit e ka nisur fjalën e tij duke përkujtuar ngjarjen e 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuar, ku shprehu dhe njëherë vendosmërinë për të mbështetur çdo veprim që Presidenti amerikan do të ndërmarrë për përmbysjen e regjimit të dikatorit të Damaskut.‘Jetojmë në një luftë të re, ndoshta në një formë të re, ku armiku shfaqet herë si profet e herë si ushtar, herë si martir, e herë si turmë. Të vrarët e 11 shtatorit janë edhe të vrarët tanë. Është një luftë që për aq sa sa na takon, të madhësisë dhe peshës sonë gjeografike apo ushtarake, ka qënë dhe mbetet edhe lufta jonë. Ne do të jemi përkrah Amerikës kudo që kjo luftë ta kërkojë, sepse ky armik ka dalë nga errësira më e thellë jo për të goditur një popull më vete, por për të shkatërruar krejt ekzistencën sonë, ku liria s’mund të jetë e përhershme nëse mbrojtja nuk është e përditshme. Ja pse dua ta përsëris sot prej këtu që pas barbarisë kimike në Damask, si unë, ashtu si dhe e pohoi edhe paraardhësi im, Shqipëria mbështet pa asnjë ngurrim çdo veprim që Presidenti amerikan do ndërmarrë”tha ai.

Rama ka sjellë edhe njëherë në vëmendje zgjedhjet e 23 qershorit, ku teksa hodhi sërish paralele me 1992, Kryeministri deklaroi se edhe në qershorin e 2013 Shqipëria nuk u nda në dy blloqe, por përmes një blloku masiv vulosën ndryshimin. “Me besim ndaj çdo zgjedhësi të opozitës, e ftoj kryetarin e Kuvendit të vigjëlojë për të mos lejuar vazhdën brutale të nëpërkëmbësjes së opozitës; e ftoj të dijë se koha e fyerjeve dhe batutave nga ajo lartësi, ka mbaruar. Nuk kemi ardhur këtu për t’i treguar opozitës ku e ka kokën, por për t’i ngritur kokën. 1 milionë njerëzit që na votuan nuk na votuan për të në ndarë në humbës e fitues"theksoi ai.

“Po bëhet çerek shekulli që nga 1990 kur nuk ka fije dyshimi se që atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra falë dhuntive të njerëzve të këtij vendi po pse jo, edhe të atyre njerëzve të mirë që kanë punuar në detyra shtetërore, për ndërtimin e një shteti demokratik, që rezultoi shumë më vështirë se atëhërë kur thërrisnim “E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Pasqyrë të historisë së re nuk dua t’ua vendos përpara të humburve të 23 Qershorit; nuk është qëllimi dhe as vizioni im që të marr kohën e humbur të shqiptarëve duke i bërë karshillëk, opozitës. Unë besoj se shqiptarët votuan për t’i dhënë fund edhe këtij karshillëku. Pasqyra e historisë së re na vlen më shumë se ne, se kjo fitore njësoj si ajo e 22 marsit, nuk e përforcoi dëshira për të marrë ato karrike! Jo! Përmasën historike të fitores sonë e përforcoi nevoja për ndryshimin e modelit qeverisës. Ndaj ja pse sot e marr detyrën e lartë me përulje. Ja pse vij me vullnetin për të përmbajtur çdo lloj shprehje arrogance ndaj opozitës, çdo lloj përbuzjeje, vij për t’i thënë opozitës se marr përsipër t’i them se asaj nuk do t’i mungojë ajo që na mungoi neve në opozitë. Bashkëjetesa nuk varet nga mënyra në biem dakord, por sepse si e gjykojmë dakrotësinë; duke respektuar kundërshtarin, apo duke parë tek ai armikun. Me besim ndaj çdo zgjedhësi të opozitës, e ftoj kryetarin e Kuvendit të vigjëlojë për të mos lejuar vazhdën brutale të nëpërkëmbësjes së opozitës; e ftoj të dijë se koha e fyerjeve dhe batutave nga ajo lartësi, ka mbaruar. Nuk kemi ardhur këtu për t’i treguar opozitës ku e ka kokën, por për t’i ngritur kokën. 1 milionë njerëzit që na votuan nuk na votuan për të në ndarë në humbës e fitues"vijoi Kryeministri.

Dhe pse nuk ishin shënuar 20 minuata fjalim, opozita ka dhënë shenjën e pare të mërzitjes, si për t’iu imponuar Kryeministrit që të kalojë direkt në prezantimin e programit. E ndërsa nuk ja ka arritur të ndërpresë fjalimin e Ramës, fillimisht Berisha, ndjekur nga Topalli, e me radhë deputetët e tjerë të opozitës kanë lënë parlamentin.