Rama Kryeministër, Meta kryeparlamentar, takohen pas marrjes së detyrave
“Shqipëria e gjeneratës tjetër”. Kështu quhet programi qeverisës për katër vitet e ardhshme të kabinetit të kryesuar nga Edi Rama.Një ditë para se qeveria të dërgojë në Parlament këtë program për tu votuar dhe debatuar, kryeministri Edi Rama ka thirrur në selinë rozë grupin parlamentar të kësaj force politike.Megjithëse nuk bëhen publikisht detaje rreth këtij takimi mësohet se është diskutuar rreth ofertës që qeveria e re ka për shqiptarët në katër vitet e ardhshme dhe prezantimi i këtij programi në parlament gjatë ditës së mërkurë.Ndërkaq mësohet se po negociohet mes palëve politik rreth këtij qëndrimi pasi opozita e djathtë ka kërkuar kohë për tu njohur me programin ndërsa zëdhënësja e grupit parlamentar në një deklaratë për mediat e ka cilësuar të turpshme mungesën e transparencës pasi programi qeverisës nuk u është dorëzuar deputetëve.Kjo gjë u vu rë edhe në mbledhjen e parlamentarëve socialistë të cilët të gjithë pas këtij takimi kanë dalë me programin qeverisës të Partisë Socialiste nëpër duar, i cili u është shpërndarë edhe këtyre të fundit gjatë pasdites.Por në orët e mbrëmjes edhe pas apelit të kreut të opozitës në drejtim të kreut të ri të parlamentit, ky i fundit ka mbërritur në orët e mbrëmjes në selinë e Partisë Socialiste ku është takuar me kryeministrin Edi Rama. Pavarësisht se takimi ka zgjatur rreth 30 minuta kreu i parlamentit nuk ka dhënë detaje rreth kësaj bisede.Programi i cili u bë publik edhe për mediat nga zyra e kryeministrit të mandatuar Edi Rama është bazuar në tre shtylla liri, përgjegjësi dhe solidaritet, ndërsa pritet ti dorëzohet për votim Kuvendit në seancës e së mërkurës.Programi është i detajuar në 5 kapituj, të cilët janë: Integrimi në Bashkimin Europian, Shqipëria europiane në rajon dhe në botë, shteti i së drejtës dhe demokratizimi i shoqërisë, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet publike.Para kapitujve të programit të qeverisë, kryeministri Edi Rama ka shkruajtur se gjatë kësaj qeverisjeje ai dhe skuadra e tij do punojnë me përkushtim për të jetësuar ndryshimin që Shqipëria e kërkoi më 23 qershor.