Rama publikon programin qeverisës 2013- 2017, ja prioritetet

Përkundër refuzimit të opozitës për të mos e shqyrtuar programin seancën e nesërme parlamentare, Aleanca për Shqipërinë Evropiane ka bërë publik mbrëmjen e sotme programin e saj 4-vjeçar qeverisës. Programi prej 78 faqesh, përfshin një letër të kryeministrit, Edi Rama, 6 kapituj kryesor si dhe CV-të e të gjithë kabinetit qeveritar.Në kapitullin e parë programi përfshin Integrimin në Bashkimin Evropian, më pas Shqipëria Evropiane në Rajon dhe në Botë. Në fushën e mbrojtjes: strukturë e re për Forcat e Armatosur, duke ulur numrin e personelit; rishikim, pagës bazë të punonjësve të policisë. Lidhur me çështjen e pronave, do të përfundohet krijimi i Regjistrit të Pasurive të Paluajtshme dhe nuk do të ekzistojë më termi ish-pronar.Në fushën e drejtësisë, programi i mazhorancës së majtë synon hartimin e një strategjie kundër korrupsionit në drejtësi dhe krijimin e një Byroje Kombëtare Hetimi.Po ashtu, do të rishikohet ndarja administrativo-territoriale; do kalojë në sitë gjithë legjislacioni ekzistues; do promovohen burime të reja, që ushqejnë rritjen ekonomike; do të mbushet ‘gropa’ që po krijon tkurrja ekonomike; do të ristrukturohet biznesi; do të synohet rritja ekonomike përmes eksporteve të lëndëve të para, përmes ristrukturimit ekomomik dhe reformave; do të nxitet prodhimi vendas dhe rritja e eksporteve dhe do të mbështetet biznesi i vogël dhe i mesëm.“Qëllimi ynë është i qartë: Të qeverisim siç e meriton Shqipëria. T’u japim shqiptarëve një pamje të prekshme të Shqipërisë Evropiane që ëndërrojnë dhe meritojnë. Ta bëjmë Shqipërinë model frymëzues jo vetëm të paqes, po edhe të zhvillimit në rajon. Ne i sjellim Kuvendit të Shqipërisë këtë program qeverisës, të plotvetëdijshëm se ku duam të shkojmë; me vullnetin për të ndarë me njerëzit e këtij vendi çdo të vërtetë, sado të hidhur; me gatishmërinë për të marrë për këtë vend gjithë vendimet e nevojshme, sado të vështira; me vendosmërinë për t’u rënë ndesh pushteteve apo pozicioneve të privilegjuara që janë krijuar përmes padrejtësive qeveritare, duke deformuar ekonominë tonë, sado të konsoliduara; me frymën e ndërtimit të urave të bashkëpunimit me këdo që ndan me ne jo çdo ide ose bindje, po së paku vetëdijen se Shqipëria është atdheu, kurse Evropa është e ardhmja jonë. Unë besoj fort se me këtë vetëdije, shqiptarët votuan Rilindjen. Dhe Rilindje do të jetë!”- thuhet ndër të tjera në letrën e Ramës që shoqëron programin.Ndërkaq në programin e prezantuar bie në sy edhe një tjetër pikë e rëndësishme në raportet mazhorancë-opozitë, ku thuhet se me opozitën duhet të shfaqim një kulturë kompromisi.