Zgjedhja në krye të Kuvendit, Meta urohet nga Sequi dhe Ali Ahmeti

I zgjedhur me 91 vota pro për drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë për katër vitet e ardhshme, kryeparlamentari dhe kreu i LSI, Ilir Meta ka marrë dhe urimet e para për zgjedhjen në krye të detyrës. I pari ka qenë ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i cili ndërsa ndoqi nga afër punimet e sotme të Kuvendit i përcolli zotit. Meta këtë urim përmes mediave:“Dëshiroj t’i jap urimet e mia më të mira zotit Meta për zgjedhjen e tij si kryetar i Kuvendit dhe nuk kam dyshim se ai do ta udhëheqë Kuvendin e Shqipërisë në mënyrë të urtë dhe në mënyrë efikase. Gjithashtu dua të theksoj edhe rezultatin, pra rëndësinë në fakt të shifrave që dolën. Kjo është shumë e rëndësishme sepse ashtu siç kemi thënë ne edhe në prioritetet kyçe dhe në raportet e progresit Parlamenti është një institucion kyç për demokracinë në vend”tha ai.Ndërkaq edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti e ka uruar Kryetarin e ri të Kuvendit, duke shprehur bindjen se me urtësinë dhe përvojën e gjatë politike, do të arrijë të harmonizojë të gjitha forcat politike në Kuvend për ta arritur synimin e madh të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.“I dashur z. Meta, Kam nderin e veçantë që në emër të të gjithë anëtarëve dhe përkrahësve të Bashkimit Demokratik për Integrim si dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh urimet tona të përzemërta për zgjedhjen tuaj për Kryetar të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Zhvillimi i një procesi shembullor i zgjedhjeve të përgjithshme në qershor si dhe fillimi i punës së përbërjes së re të Kuvendit me pjesëmarrjen konstruktive të të gjitha partive parlamentare dëshmon që Shqipëria është e gatshme që të merr statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që në samitin e dhjetorit të këtij viti. Unë jam i bindur që ju, me urtësinë dhe përvojën tuaj të gjatë politike, do të arrini të harmonizoni të gjitha forcat politike në Kuvend për ta arritur këtë synim të madh të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Duke ju uruar shëndet dhe punë të mbarë, ju shtrij dorën për ta vazhduar bashkëpunimin tonë që filloi në kohëra të vështira për kombin shqiptar dhe që po vijon edhe sot, ndërsa unë jam i bindur që do të vazhdon edhe në të ardhmen” thekson Ahmeti në urimin e tij.

Ilir Meta u zgjodh paraditen e sotme për të qenë në krye të legjislativit për një mandat katërvjeçar. Përveç mbështetjes së mazhorancës, kryetarit të LSI-së Ilir Meta iu besua drejtimi i Kuvendit të Shqipërisë edhe nga 8 deputetë të opozitës. Në votimin e fshehtë që u zhvillua në Kuvend, kandidatura e Metës mori 91 vota pro, 45 kundër dhe 1 abstenim.

Thaçi  bisedë telefonike me Metën, e uron për zgjedhjen në krye të Kuvendit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një bisedë telefonike ka uruar liderin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta për zgjedhjen në postin e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

“Me këtë rast, Kryeministri Thaçi duke uruar z.Meta ka shprehur besimin që Kuvendi i Shqipërisë nën drejtimin e z.Meta do të ketë sukses në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore që ka, posaçërisht në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në një komunikatë të zyrës së kryeministrit.

Sipas saj, kryeministri Thaçi, gjatë bisedës, ka ritheksuar se raportet e shkëlqyera të Qeverisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve kosovare me institucionet e shtetit shqiptar do të thellohen edhe më tej, me theks të veçantë në fushën ekonomike.

“Kryetari i posa zgjedhur i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta falënderoi Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për urimin dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe të koalicionit të ri qeverisës shqiptar për forcimin e bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës”, përfundon komunikata.

Kryeparlamentari Krasniqi uron Metën

Me rastin e zgjedhjes së liderit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, për kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i dërgoi një telegram urimi.

“Në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë dhe nderin e madh t’ Ju shpreh urimet më të përzemërta dhe më të sinqerta me rastin e zgjedhjes Tuaj Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ju dëshiroj sukses në përmbushjen e përgjegjësive të mëdha në krye të institucionit të lartë shtetëror, thuhet në telegramin e urimit të kryeparlamentarit Krasniqi.

“Duke vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona, shpreh bindjen që ato do të thellohen dhe zgjerohen në vazhdimësi. Me këtë rast, dëshiroj edhe njëherë t’ju siguroj për vullnetin dhe dëshirën tonë për bashkëpunim”.

Shfrytëzoj këtë rast t’ju shpreh mirënjohjen tonë të thellë për gjithë ndihmën që Shqipëria dhe institucionet e saj shtetërore kanë dhënë për Kosovën në këto vite vendimtare të historisë së saj. Ju lutem, i nderuar Kryetar, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, thuhet në telegramin e urimit kryeparlamentarit Krasniqi.