Kukës, bie fluksi i kalimeve në kufi
Me fillimin e stinës së vjeshtës hyrjet e daljet në pikat kufitare të vendit kanë pësur një ulje të ndjeshme. Kështu ka ndodhur edhe në pikën e kalimit kufitar në Kukës.Sipas të dhënave nga Drejtoria e kufirit dhe migracionit, gjatë kësaj jave fluksi ka ardhur në rënje, çka ka çuar edhe në uljen e numrit të sporteleve, me të cilat punohet për përpunimin e dokumentacionit të të gjithë shtetasve që kalojnë kufirin Kosovë-Shqipëri.Sipas statistikave, gjatë javës së parë të muajit shtator kanë hyrë në Shqipëri rreth 30 mijë shtetas, ndërkohë që kanë dalë prej saj më shumë se 10 mijë të tjerë.Sakaq, në vendin tonë kanë hyrë rreth 5 mijë automjete dhe kanë dalë prej tij rreth 4 mijë të tjera. I gjithë ky fluks i hyrje-daljeve është përballuar me 5 sportele, nga 7 që kanë qenë gjatë periudhës së sezonit veror.Gjatë muajit gusht, në vendin tonë hynë rreth 500 mijë shtetas dhe dolën prej tij rreth 500 mijë të tjerë. Destinacioni kryesor i tyre ka qenë bregdeti shqiptar, por nuk përjashtohen edhe vizitat që realizohen në pika të ndryshme historike që ka vendi ynë.