90 raste çdo ditë në infektiv, shkak i fluksit, virozat e pacientët nga rrethet
Në ditë rreth 90 pacientë i drejtohen shërbimit të infektivit në QSUT për të marrë ndihmën mjekësore. Mjekët thonë se nuk bëhet fjalë për ndonjë virus të ri, por për viroza të stinës të cilat janë prezente dhe kanë shënuar këtë fluks.Një tjetër arsye pse popullohet ky shërbim është edhe fakti që pacientët vijnë nga rrethet për shkak të referimeve që i bëhen nga mjekët e spitaleve rajonale. Mjekja infeksioniste në këtë shërbim, Ermira Muça, thotë se pacientët paraqiten me diarre, të vjella dhe temperaturë të lartë.Edhe pse shkolla nuk ka filluar, fëmijët janë të riskuar dhe një ndër kategoritë që preken më tepër nga këto viroza. Po pas nuk ngelen as personat që janë mbi të 40-tat.Mjekët thonë se pacientët duhet menjëherë t’i drejtohen mjekut të familjes apo të paraqiten në urgjencat më të afërta në rast të shfaqes së simptomave të para. Dhimbje fyti, probleme me stomakun, diarre, të vjella e temperaturë të lartë.