Administrata nuk merr rritje page, vërtetohet kriza në buxhetin e shtetit

Punonjësit e administratës nuk kanë marrë rritjen e rrogës, duke vërtetuar edhe njëherë se buxheti i shtetit ndodhet në gjendje të vështirë. Sipas vendimit parashikohej që në datën 1 shtator administrata do të merrte rritjen e akorduar nga qeveria Berisha në bazë të kategorive të pagave.Tashmë gjithçka i kalon në dorë qeverisë socialiste, e cila e kundërshtoi ashpër vendimin për rritjen e rrogave dhe pensioneve, duke e konsideruar si një papërgjegjshmëri një vendim të tillë. Vetë punonjësit e administratës edhe pse pas kamerave kanë pranuar se ende nuk kanë marrë rritjen e miratuar, apo ndonjë shpjegim në lidhje me këtë.Ndërkohë që pensionistët kanë marrë shtesat e akorduara për pensionet ,pasi ISSH ka një fond të veçantë buxhetor. Ata shprehen se presin që zakoni i rritjes së pensiove të vazhdojë edhe me ardhjen e qeverisë së re.Tashmë sipas të gjitha gjasave dhe deklaratave të përfaqësuesve socialistë, rritja e pagave në vend mund të realizohet vetëm me miratimin e buxhetit për vitin 2014, pasi situata finanaciare në vend nuk është e përshtatshme për një nisme të tillë.