Zyrtarizohet rrotacioni politik, Kuvendi nis punimet. Arvizu-Sequi: Presim shumë
Ka zgjatur vetëm 20 minuta seanca e parë soleme e çeljes së punimeve të legjislaturës së VIII të Kuvendit shqiptar.

Si rrallë ndonjëherë, seanca parlamentare nuk ka zgjuar vetëm interesin e trupës diplomatike në vend, ku seancës nuk i ka munguar edhe përfaqësia e komuniteteve fetare dhe e Kreut të lartë të Shtetit, Bujar Nishani, të gjitha këta të kaluar nën lupën e medias.













Mbledhja startoi nën tingujt e Himnit Kombëtar të Flamurit, ndërsa më pas Namik Dokle nën praninë e 140 deputetëve, ka hapur dhe mbledhjen, si deputeti më i vjetër në moshë pas refuzimit të Kryeministrit të dorëhequr Sali Berisha. Në fjalën e tij ai e vlerësoi seancën e sotme si një nga të vetmet pa bojkot dhe kjo jo aq për meritë të subjekteve politike, sesa prej faktit se populli e tha me votë fjalën e tij, duke përcaktuar qartësisht mazhorancën.

“Më nderin që më ofron mosha dhe përvoja shumëvjecare, kam kënaqësinë të deklaroj të hapur mbledhjen e parë të legjislaturës së VIII- të kuvendit të Shqipërisë. Kolegë mirëserdhët dhe uroj të jenë në lartësinë e votës që na ngarkoi vota e popullit. Kjo legjislaturë është e para që nis pa bojkot. Populli na bëri thirrjen e madhërishme të Nënë Terezës : ....aty ku është urrejtja të sjellë dashuri, ku është ndarja të sjellë bashkim... Uroj të dalim faqebardhë në detyrën fisnike të duetet duke mos harruar që ajo kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim pozitë-opozitë”, u shpreh Dokle.
Drejtuesi i seancës uroi dhe deputetët të cilët ulen për herë të parë në karriget e Kuvendit.
Ndërkohë, gjatë seancës kamerat fokusuan në sallë dhe ish-kryeministrin e vendit Sali Berisha, i cili refuzoi drejtimin e seancës plenare.

Më pas Dokle ka caktuar dhe tre deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, për të kryer përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit.
