Vihet në pikëpyetje ekzistenca e parkut të Viroit, përfshihet nga një zjarr masiv

Parku kombëtar i Viroit, në Gjirokastër rrezikon të shkrumbohet i tëri. Një zjarr i fuqishëm, i cili ka rënë mesditën e sotme mbi pishat e parkut kombëtar ka përfshirë një sipërfaqe të madhe, duke e vënë në rrezik serioz ekzistencën e tij.Në shuarjen e zjarrit është mobilizuar policia bashkiake, ajo komunale, e gjelbërimit dhe policia e rendit, të cilët po përpiqen me mjete rrethanore të vënë në kontroll flakët, pasi terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen me automjetet zjarrëfikëseve.Situatën po e ndjek nga afër edhe kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Bime, i cili u shpreh se zjarri i rënë pak më parë po përparon duke djegur edhe kurorën e dytë me pisha pranë Viroit. Bime shtron nevojën e një ndërhyrje nga ajri, ndërsa shton se era e fortë po favorizon edhe më tepër përhapjen e flakëve.Ndërkaq policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të rënies së këtij zjarri masiv, nga ku mësohet se është bërë edhe shoqërimi i tre barinjve, të dyshuar si autor të zjarrëvënies.