Tiranë, vritet aksidentalisht një grua, viktimë e atentatit ndaj një 30-vjeçari

Tjetër atentat ka tronditur mbrëmjen e sotme kryeqytetin, duke lënë si bilanc një të vdekur dhe një të plagosur. Ngjarja u shënua mbrëmjet e sotme rreth orës 21:45 në zonën më të frekuentuar, në zonën e ish-Bllokut, në një pikë loto sporti pranë farmacisë greke, ku 30-vjeçari Elidon Fusha ndërsa gjendej nën shoqërinë e dy personave të tjerë është qëlluar me 6 plumba pistolete nga një person i paidentifikuar, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.Por fatkeqësisht plumbat e destinuar në drejtim të të riut, kanë marrë aksidentalisht edhe pronaren e lokalit, shtetasen Majlinda Hoxha. Me tre plumba në trup Hoxha ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa Fusha në gjendje kritike për jetën është dërguar me mjete të rastit për në Spitalin Ushtarak ku po merr ndihmën mjekësore. Pas marrjes së njoftimit në vendngjarje shkuan forcat e policisë që nisën hetimet për zbardhjen e shkaqeve, identifikimin dhe arrestimin e autorit. Policia, në rrugë jo zyrtare, raporton se personi i plagosur njihet si  një person me precedent penalë, një ndër njerëzit e përfolur tre vite më parë për një ngjarje tjetër kriminale.