LSI-PBDNJ propozojnë Edi Ramën si kryeministër të vendit tek Nishani

Vetëm pak minuta pas mbylljes së punimeve të seancës së parë parlamentare, koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” ka depozituar pranë Presidencës propozimin për Kryeministrin. Propozimi drejtuar Kreut të Shtetit është firmosur nga dy aleatët e PS, LSI dhe PBDNJ, ku propozohet kryesocilaisti Edi Rama si kryeministër i shqiptarëve për katër vitet e ardhshme.

“Mbështetur në nenin 96, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kryetari i Partisë Socialiste, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, i janë drejtuar Presidentit Bujar Nishani me një kërkesë në emër të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” me anë të së cilës kanë propozuar emërimin e zotit Edi Rama si Kryeministër të Republikës” thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca.

Në bazë të Kushtetutës pas këtij hapi Kryeministri i ri nis negociatat me partitë e koalicionet dhe zgjedh anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar për të siguruar një maxhorancë të sigurtë, hap ky që tashmë është ezauruar nga zoti Rama prej ditësh.Ndërkaq brenda 10 ditëve, Kryetari i ri i qeverisë, i emëruar sipas Kushtetutës, i paraqet për miratim Kuvendit programin politik të Këshillit të Ministrave, së bashku me përbërjen e tij, e cila votohet e plotë dhe jo e ndarë. Si ministrat, ashtu edhe kryeministri, do të votohen në të njëjtën seancë, ku secili duhet të marrë shumicën e votave nga Kuvendi që të miratohen, fakt ky që tashmë nuk është problem kur mazhoranca e re shkon me 83 mandate deputetësh në Kuvend.Afatet e propozimit, emërimit dhe votimit të ministrave përcaktohen në nenin 98 të Kushtetutës, sipas së cilës, "ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të kryeministrit brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi". Para fillimit të detyrës, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës.Kabineti Rama do të ketë 21 anëtarë, ku Lëvizja Socialiste për Integrim përfaqësohet me 5 ministra. Në qeverinë e tij Edi Rama ka përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, siç është rasti i përkthyeses dhe publicistes, Mirela Kumbaro.