Belortaja: Përmirësimi i ekonomisë nis me transparencën

Një filozofi e re dhe identifikimi real i treguesve ekonomikë në vend, janë këto dy nga detyrat e para në të cilat do të fokusohet qeveria e re. Selim Belortaja, një nga hartuesit e programit ekonomik të LSI, por dhe një nga anëtarët që harmonizuan programet e dy forcave politike PS-LSI deklaroi në intervistën e RTV Ora News se qeverisja e re përkundër mbështjes mbarëpopullore nuk duhet të rrëshqasë në euforizëm, por të insistojë në njohjen sa më mirë të realitetit të ekonomisë së vendit. Duke qenë se në matjen e treguesve ekonomikë një rol kyç ka INSTAT, i cli është kritikuar jo pak nga PS, Belortaja mbështet propozimin e socialistëve për ta kaluar në varësi të parlamentit me kushtin që kjo mos të jetë vetëm formalisht.“Shumë gjëra e presin këtë qeveri. Ne kemi të gjitha arsyet që të jemi optimist dhe ta shikojmë me shumë besim qeverisjen e ardhshme, sëpari për arsye të energjive të reja që vinë në qeverisjen re. Së dyti ka një program të studiuar me kujdes, duke mbajtu parasysh jo vetëm eksperiencat e brenshme por dhe ato të huaja, së treti ka një kordinim të programit, ndoshta kjo dhe për herë të parë në historinë e koalicioneve. LSI ka qenë shumë aktive në hartimin e programit. Harmonizimi i dy programeve në një të vetëm nuk ishte shumë e vështirë. Seancat e konsultimeve mes dy partive kanë qenë më shumë një shkëmbim eksperiencash, dijesh, njohurish, sesa një çështje debati dhe negociatash. Pati diferenca të vogla në seancat e para, të cilat dora dorës gjetën një zgjidhje të pëlqyeshme dhe të pranueshme nga të dyja palët duke marrë parasysh dhe realitetin shqiptar. Sa i përket emergjencave të qeverisë, e para është filozofia e qeverisjes që është bërë e qartë nga zoti. Rama. Së dyti është njohja e realitetit, matja e tij, prandaj një nga treguesit e parë të programit kemi identifikimi i problemeve që ka ekonomia. Ky është një proçes njohje dhe konsultimi me gjithë faktorët dhe aktorët. Psh në tetor do të vijë FMN, negociatorët kryesorë të qeverisë e kanë bërë këtë hap, dhe sigurisht FMN do ta thotë fjalën e tij. Vetë Ministrat e rinj do ta prekin realitetin nga afër. Me rëndësi është që po hyhet në një filozofi të re, më shumë njohje të realitetit dhe më pak eufori. Ka pak vend për entuziazëm tani, duhet të mbaronte me mbarimin e zgjedhjeve.Kjo qeveri ka mbështetje të fortë popullore nga mbrapa, mbështetje ndërkombëtare të mirë, por ka një rrezik euforizmi të cilin duhet ta shmangë që në fillim dhe kjo duhet të fillojë nga njohja e realitetit. INSTAT u tha që është institucion difektoz, duhet të merret në dorë dhe të operohet. Varësia e tij nga parlamenti nuk është ide e keqe, na duket racionale që në një fazë të parë të bëhet kjo punë siç propozon PS. Por nuk është çështje varësie formale, duhet të bëhet operues dhe duhet të kontrollohet në mënyrë teknike që të jetë i saktë dhe të konsultohet me partnerët e huaj” deklaroi ai.

Teksa ka pasur deklarata të forta nga të majtët për rishikim të marrëveshjeve koncensionare, për zotin Belortaja është më e rëndësishme të evidentohen detyrimet  që rrjedhin nga marrëveshjet, pasi sipas tij rezulton se shumë prej kompanive nuk kanë paguar detyrimet. Jo më pak i rëndësishëm është luftimi i evazionit fiskal, ku edhe këtu ai deklaron se një grup i konsiderueshëm kompanish pranë qeverisë në ikje i janë shmangur detyrimeve fiskale.

“Sfida kryesore është konsolidimi fiskal dhe ulja e borxhit.  Tërë bota, rajoni është mobilizuar në uljen e borxhit. Ulje borxhi do të thotë në radhë të parë ulje e defiçitit vjetor. Por kjo kërkon një operacion të gjerë  shumë të vështirë që duhet të fillojë me normalizimin e situatës fiskale dhe buxhetore pastaj me konsolidimin fiskal.  Ne jemi në një situatë normalizimi, pasi defiçiti i sivjetshëm buxhetor është ngrënë 90% në fillimin e vitit. Duhet të përballohet situata e muajve të mbetur të këtij viti njëherë.Po punohet me seriozitet nga Ministri i Financave për normalizimin dhe kjo realizohet me transparencën, transparencën e marrëveshjeve,  jo si marrëveshje që duhen mbajtur apo anulluar për arsye juridike. Por si respektim të detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet. Shumë para për buxhetin duhet të hyjnë nga marrëveshjet, të naftës, të mineraleve, sektorëve të ndryshëm të konçensioneve. Na rezulton se shumë prej kompanive nuk kanë paguar detyrimet. Fillohet me transparencën, më pas fillohet me luftimin e evazionit fiskal. Ka kompani që jo vetëm kanë privilegje dhe lidhje të shkurta klienteliste me qeverisjen që po ikën, por i janë shmangur në mënyrë të qartë detyrimeve fiskale. Kemi një firo fiskale të qartë nga një grup kompanish të quajtur pranë influencave” u shpreh Belortaja.

Si studiues i mirë i ekonomisë, Selim Belortaja deklaron se vendit nuk i nevojiten modele parafabrikate për ekonominë,  por aplikimi i praktikave më të mira, adresimi real i çështjeve. E ndërsa qeveria e re në mbledhjen e informale në Vlorë vulosi dhe programin e 300 ditëve të para, Belortaja jep detaje lidhur me prioritetet e qeverisë, të cilën e quan dhe modeli i adresimit të problemeve të mëdha.

“Në fakt në ekonomi nuk ekzistojnë modelet parafabrikate. Jam kundër pritshmërisë për një model perfekt. Ne përpara kemi pasur një model dhe që ka funksionuar, pasi këtu kanë qenë FMN,BB dhe nuk kanë thënë që s’ka pasur  model. E keqja jonë është tek adresimi realist i çështjeve. Tek ne duhet të sillen praktikat më të mira që të përshtasin kërkesat e qeverisjes me kërkesat e njerëzve që qeverisen. Bëj një dallim të qartë të modelit ku kemi hyrë. Ne kemi kaluar nga modeli i veprave të mëdha të qeverisjes së kaluar, që ca janë bërë, ca sjanë bërë dhe ato që janë bërë janë bërë keq, me defekte finaciare dhe teknike. Asnjë rrugë e bërë nuk plotëson standardet teknike. Pra kalojmë nga ky model në modelin e adresimit të halleve të mëdha. Probleme të mëdha janë punësimi, varfëria, arsimi, shëndetësia,  bujqësia, të gjitha këto ne jemi munduar ti shohim në prizmin e punësimit.  Në gjendje më të vështirë janë bujqësia dhe sektori i shërbimeve, turizmi dhe industritë prodhuese, duhen përmirësuar  në mënyrë që të krijojmë produktin Made in Albania, që të zërë vend në tregun tonë dhe atë të huaj. Kjo është e rëndësishme edhe për deficitin. Industritë  prodhuese duhet të punojnë për të krijuar një ofertë të re. Por kjo nuk rrezikon të lërë projektet që janë përgjysmë. Kjo qeverisje e veprave të mëdha i ka lënë veprat e mëdha jashtë administrimit. Është mirë të punojmë në konceptet e mirëmbajtjes së tyre. Kemi rrugë që po degradojnë përditë. Çdo mundësi që do krijohet do përdoret edhe për ndërtim të rrugëve të reja” theksoi më tej ai.

 Për të qenë atraktivë për investitorët e huaj dhe kompanitë e mëdha nuk mjaftojnë më faktorët gjeografikë, por edhe madhësia e tregut. Dhe për këtë Balortaja shprehet se duhet të zbatohen me përpikmëri sistemi i marëveshjeve të tregëtisë së lirë. Këtu nuk bën përpjashtim edhe zgjerimi i tregut me Kosovën dhe pjesën shqiptare të Maqedonisë, ku sipas tij më tepër se tek ne problemi është terësisht i fqinjëve.

“Ne kemi mbetur tek faktorët e atraktivitetit, por ka një faktor kyç që është madhësia. Nuk ka investim të kompanive të mëdha pa pasur këtë madhësi tregu. Sot jemi mjaft më mirë sa i përket madhësisë së tregut sesa disa vite më përpara, kemi një ekonomi goxha të integruar. Sistemi i marrëveshjeve të tregëtisë së lirë e justifikon një investim të madh brenda vendit, për të shërbyer në një treg rajonal. Sesa njihet dhe përdoret me efikasitet, faktori Organizatë Borërore e Tregëtisë, sasa është përdorur Cefta për të hequr barrierat jo vetëm tarifore, por dhe jotarifore. Ne shpesh ngecim me Kosovën. Ka kompani që e kanë kapërcyer këtë, psh Kurum shërben në një treg të gjerë jo vetëm tek ne. Në lidhje me Kosovën dhe Maqedoninë,nuk e shoh problemin tek ne sesa tek partnered. Ata kanë një arsye teknike që mezi orientohen tek ne, për arsye të lidhjeve tradicionale me kohën e ish-Jugosllavisë.Tek Kosova dominojnë eksportet tona. Çështja nuk është as tek vullneti ynë, por vullneti i fqinjëve. Edhe Kosova duhet ta shohë me më shumë vëmendje këtë liberalizim ndaj nesh.E dyta është çështje njohurish.  Duhen njohur marrëveshjet, përcaktimet, mundësitë juridikoteknike që ekzistojnë mes palëve. Sa i përket dimensionit nacional që duam ti japim tregëtisë është një gjë e mirë, por ekonomia nuk funksionon kështu, sepse në fund dominon logjika ekonomike” deklaroi ish-zëvendësministri i Jashtëm.