Halimi: Parlamenti dhe qeveria e re më të kushtueshmit në histori
Ministri në ikje i drejtësisë Eduard Halimi ka komentuar në Facebook qeverinë dhe Parlamentin e ri.Në një editorial në faqen e tij zyrtare, Halimi thekson se Parlamenti i ri do të jetë më i kushtueshmi në të gjithë historinë e demokracisë ndërsa qeveria e re më e madhja në histori.“Nesër mblidhet parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Ky do të jetë parlamenti më i kushtueshëm në gjithë historinë e demokracise. U votua për 140 deputetë por do të paguhen 160 sepse kryetari i PS donte të kishte dhe 20 të tjerë plus, duke shtuar ministrat. Një deputet i kushton shqiptarëve jo me pak se 2 milion lekë në muaj, 24 milion në vit (25.000 dollare) dhe në 4 vjet minimumi 100.000 USD. Vetëm nga vendimi abuziv dhe arrogant i kryetarit të PS parlamenti do të kushtojë 2 milion USD më shumë” shkruan Halimi.Në editorialin e tij, Halimi shtron disa pyetje: A janë dakord qytetarët shqiptarë të paguajnë 2 milion usd me shumë rroga, për parlamentin? A janë pyetur ata?“Shpenzimet e kësaj qeverie nuk perfundojne me kaq; Plot 5 ministri me shumë të cilat sigurisht ata që votuan nuk i dinin në 23 qershor. Nuk do të shpenzohen paratë e Edi Ramës por të shqiptarëve. Ai premtoi ti pyeste për ëçdo vendim. A jane dakord qytetarët shqiptarë që Rama të ketë një ministri të tërë për të komunikuar me parlamentin edhe pse e ka 10 m larg zyrës së tij?! Po që të ketë një ministër shteti, thuaj se këta 18 të tjerët nuk janë për shtetin. Tre ministra për kulturën, sportin e turizimin e tjera çudi të sforcuara nga uria për tortë” shkruan Halimi.Sipas Halimit, ky nuk është interes i qytetarëve dhe as ushtrimi pushtetit prej tyre por një haraç i lartë, i tepërt, i panevojshëm, që duhet paguar për qeverinë më të madhe në histori dhe parlamentin më të shtrenjtë, në kohën kur të gjithë qeveritë e vendeve të zhvilluara po i shkurtojnë shpenzimet!