Parlamenti mblidhet të Hënën, Namik Dokle do drejtojë seancën e parë
Legjislatura e re parlamentare pritet të çelet këtë të Hënë në orën 18:00. Pak javë pasi Kreu i Shtetit dekretoi këtë datë për fillimin e legjislaturës së re, që përkon vetëm me dy ditë pas mbarimit të mandatit të kësaj mazhorance, në ambjentet e Parlamentit të Shqipërisë po bëhen rregullimet e fundit për këtë seancë.Fillimi i legjisltaturës së re ka përcaktime të qarta ligjore në rregulloren e Kuvendit. Që në nenin 1 të kësaj rregulloreje parashikohen hapat që ndiqen për seancën e parë të një legjislature, ku sipas përcaktimeve thuhet se "Mbledhja e parë e legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Në rast mospranimi ose mungese, mbledhja drejtohet nga deputeti që është pas tij më i vjetër në moshë. Dhe në këtë rast parashikohet që kjo seancë të drejtohet nga deputeti socialist Namik Dokle, pasi Kryeministri në largim Sali Berisha, ka refuzuar të drejtojë këtë seancë.Ndërkaq parashikohet që " Tre deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit. Sipas rregullores parashikohet që përbërja e Sekretarisë pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Ndërsa në pikën tre të këtij neni parashikohet që deri në zgjedhjen e kreut të ri të Parlamentit të mos zhvillohet asnjë debat politik. Ndërkaq me hapjen e mbledhjes së parë të Legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre nga komisioni i përkohshëm i ngritur për këtë çështje.Në pikën 2 të nenit të 2 të rregullores thuhet se Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.Ndërkaq në parashikimin ligjor të rregullores thuhet se menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin. Teksti i betimit lexohet nga drejtuesi i seancës dhe deputetët ftohen, një e nga një, të ngrihen në këmbë dhe të deklarojnë "Betohem". Ndërkaq parashikohet që deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi, betohen në seancën më të parë në të cilën marrin pjesë. Menjëherë pas kryerjes së betimit nga deputetët, proçedohet me zgjedhjen e Kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit.Në nenin 6 të rregullores së Kuvendit parashikohet që kandidati për Kryetar të Kuvendit propozohet nga të paktën 15 deputetë. Një deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat. Propozimi bëhet me shkrim, përmban nënshkrimet përkatëse dhe paraqitet në Sekretarinë e Përkohshme të Kuvendit. 2.Kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e kërkuar, vijohet me një raund të dytë, ku votohet për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota. Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, drejtuesi i seancës fton menjëherë Kryetarin e Kuvendit të zërë vendin e tij, që në këtë rast sipas marrëveshjes së koalicionit tëmazhorancës së majtë do të jetë kryetari i LSI, Ilir Meta, ai që do të drejtojë parlamentin për katër vitet e ardhshme.