Zonja Nishani përkujton Nënë Terezën: Të mposhtim urrejtjen me dashuri

Në 16 vjetorin e ndarjes nga jeta të humanistes së madhe shqiptare Nënë Tereza, Zonja e Parë Odeta Nishani ka vlerësuar rolin e saj si misionare në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis kombeve. Në një koment të saj në rrejtin social facebook, Zonja Nishani citon pikërisht një thënie të humanistes së madhe, për të risjellë në vëmendje nevojën e madhe për dashuri, gëzim, paqe e vëllazërim mes njerëzve.“Sot është 5 Shtatori, përvjetori i vdekjes së Nënë Terezës , në respekt të rolit të saj si misionare në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis kombeve, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e caktoi këtë ditë si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë. Desha ta kujtojmë sot këtë ditë dhe këtë misionare të madhe duke cituar një nga thëniet e saj:  “Në botë ka shumë urrejtje, shumë luftra. Nuk do t’ia dalim dot t’i mposhtim urrejtjen dhe luftrat as me pushkë dhe as me bomba, dhe as me ndonjë tjetër armë që shkakton plagë: do t’ia dalim mb’anë vetëm me vepra dashurie, gëzimi, paqe vëllazërimi”shkruan Nishani.Gonxhe Bojaxhiu në vitin 1979 mori çmimin Nobel për Paqe, ndërkaq u nda nga jeta më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë.