Abuzimi me karburantet, Prokuroria “zbarkon” në drejtorinë e Metrologjisë
Task-forca e Prokurorisë së Tiranës zbarkon në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjise. Oficeri Emror Kasaj, me urdhër të prokurorit Julian Zonja, sekuestron raportin e inspektimit të kësaj drejtorie ndaj subjekteve private të tregtimit me pakicë të hidrokarbureve. Brenda zyrave të kësaj drejtorie, oficeri Kasaj qëndroi mbi 1 orë duke përpiluar edhe proçesverbalin e sekuestrimit të dosjes voluminoze me shkeljet e 14 subjekteve të ndryshme.Me sekuestrimin e këtij raporti, Prokuroria konfirmoi se do të thirren të gjithë inspektorët që kanë përpiluar këtë raport dhe më pas drejtuesit e kompanive të konstatuar me shkelje. Sipas akuzës, inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë gjatë inspektimit kanë konstatuar në 14 karburante të ndryshme vjedhje ndaj konsumatorit si në cilësinë e karburantit ashtu edhe në sasi.Në këto subjekte private, inspektorët kanë konstatuar me shkelje 93 makineri, të cilat vjedhin konsumatoret gjatë tregtimit të karburantve. Veprimet e Prokurorisë, erdhën menjëherë pas regjistrimit të proçedimit penal ndaj subjekteve abuzues të tregtimit me pakicë të karburanteve, që dyshohet se kanë konsumuar tre vepra penale, atë të "vjedhjes", "mashtrimit" dhe "evazionit fiskal".Ndërkaq Drejtoria e Metrologjise konfirmon se nuk është e vërtetë që ky institucion nuk i ka kthyer përgjigje Prokurorisë për ti vënë në dispozicion raportin e inspektimit, pasi ekziston një letër e datës 2 shtator ku DPM ka khyer përgjigje për kërkesën e organit të akuzës.