“Censusi” penalizon Lezhën, kreu i bashkisë: Na është ulur granti qeveritar
Bashkia e Lezhës po përballet me probleme të theksuara financiare, ku krahas mbylljes së shumë biznesve dhe mos likujdimit të tarifave vendore nga biznesi i ndërtimit,gjendjen e ka përkeqësuar edhe më shumë qeveria aktuale në detyrë.Kryebashkiaku Viktor Tushaj i cili vjen nga radhët e LSI dhe që u rizgjodh në këtë post në koalicion me PD thotë se Ministria e Brendshme ka abuzuar me të dhënat e Censusit dhe për pasojë ka reduktuar grandin e qeverisë me 30 mln lekë në dy vitet e fundit.Sipas tij në qytetin e Lezhës jetojnë rreth 30 mijë banorë, ndërsa Censusi e ka nxjerrë me rreth 15 mijë banorë.Në qytetin e Lezhës prej dy vitesh ka nisur puna për ndërtimin e shumë infrastrukturave por që shumica prej tyre mbeten pezull ende, pasi të ardhurat e bashkisë kanë pësuar rënie dhe që deri tani janë realizuar deri në masën 50 përqind.