Manjani: Gjyqësori sfida e qeverisë, kryereformë mbetet ndërtimi i shtetit

Marrja në dorë e rendit publik dhe territorit të vendit, janë dy emergjencat e ditëve të para të qeverisjes së mazhorancës së majtë. Nënkryetari i aleatit kryesor të PS në qeverinë e ardhshme, Ylli Manjani, deklaroi në intervistën e mbrëmjes në Ora News se statistikat lidhur me këto dy çështje janë të frikshme dhe kërkojnë ndërhyrje imediate. Por kjo sipas Manjanit nuk do të thotë se jashtë fokusit të qeverisë do mbetet ekonomia, e cila do jetë bazike duke i vënë të gjithë elementët në funksion të saj.“Ne jemi njerëz që komunikojmë, vimë nga e njëjta parti, janë më të ngjizura gjërat sesa me PD dhe pse ka qenë koalicion i suksesshëm. Nuk besoj se është teoria e brishtësisë, në dallim nga politika që ka servirur PD, e majta ka një traditë më ndryshe, ka më shumë debat. Kjo është një farë risie, në një proçes politik duhet të këtë edhe të tilla gjëra. PS-LSI ka një mandat të qartë politik, rezultat i ngjashëm me ’92 pavarësisht kontekstit që janë zhvilluar. Qeveria e re duhet të marrë direkt në kontroll rendin publik dhe territorin. Territori është plagosur rëndë, statistikat janë të frikshme. Ekonomia mbetet bazike, por është diçka që duhet ti shërbejmë kontestit të përgjithshëm për ti vendosur në funksion të saj” deklaroi ai.

 E ndërsa qeveria Berisha mban mbledhjen e saj të fundit nesër, për të lënë zyrtarisht detyrën ditën që do betohet qeveria e re, Manjani thekson se periudha e tranzionit të pushtetit la disa leksione të qarta mbi të cilat duhet të ndërhyet. Sipas tij qeveria në detyrë për arsye morale duhet të jetë me legjimitet të kufizuar dhe kjo mund të rregullohet edhe me një ligj të vetëm, ku ai i Këshillit të Ministrave do të ishte burim i mirë rishikimi për të tilla raste.

“Nesër është mbledhja e fundit, pasi dita e fundit  ligjërisht është dita kur betohet qeveria e re. Diskutimi  në lidhje me legjitimitetin e kësaj qeverie në kushtet e tranzicionit  mbetet, nuk ka ligj për këtë punë që në tilla raste psh  qeveria bën 1,2, 3 gjëra dhe jo 4,5 6. Por ka një diskutim etik dhe politik, që vjen për shkak të ndërthurjes së dy mandateve.  Ashtu siç në raste të veçanta siç është çështja e SHQUP, Albeterol apo dhënia e konçensioneve me urgjencë, me proçedura të përshpejtuara, me shumë gjasë lënë dyshime që mund të ketë shkelje ligjore dhe kjo mbetet për tu parë. Unë mendoj që qeveria në detyrë për arsye morale duhet të jetë me legjimitet të kufizuar.  

Kjo zgjidhet edhe me një ligj. Ndoshta ligji i KM është një burim i mirë rishikimi për të tilla raste.  Në këtë periudhë tranzicioni na kanë dalë të paktën nevojë për rishikim ligjesh dhe sqarim të disa momenteve të rëndësishme në raportet që krijohen mes qeverisjes dhe vendit. Një çështje e pazgjidhur është çështja e administrimit të pronave publike. Fakti që një qeveri pavarësisht legjitimitetit vendos të lërë institucione shtetërore pa sistemuar dhe sistemon partinë  e tij në një godinë publike është një problem që ja vlen të diskutohet. Është raport i prishur mes qeverisë me pronën publike, me statusin dhe hiearkinë e pronës publike.

Ashtu siç nuk është sqaruar se çfarë ndodh me pronën publike kur humbet destinacionin. Nëse një pronë publike nuk ka destinacion ka vetëm një zyrë që merret me këtë punë, ajo e ankandit publik, por jo në mënyrë abuzive, që unë e kam në dorë dhe unë e bëj. Është leksion që duhet ta mësojnë të gjithë sesi nuk duhet ta bëjnë në të ardhmen. Ashtu siç është një detyrim që nëqoftë se qeveria e re do ta bëjë këtë punë të vendosë autoritetin ligjor të kësaj hiearkie në lidhje me SHQUP-in psh, apo në lidhje me  konçensionet. Është dhënë porti i Durrësit me konçesion krej beftas, nuk është e drejtë, minimalisht nuk është transparente. Apo siç na doli një raport jo fort i rregulluar mirë i shtetit në raport me klerin.Rasti i Përmetit është rast për të qeshur dhe qarë.

Çështja e SHQUP dhe kishës, ishin çështje të sajuara publikisht për të shmangur vëmendjen. Janë dhënë pa privatizim,pa  kontratë, pa gjë dhe puset e fundit të naftës ndërkohë që nuk merret kush me këtë. Por siç po thoja, raporti i prishur i shtetit me klerin duhet rregulluar. Ka dalë dhe çështja e xhamisë në Tiranë.  Ndërtimet që u shërbejnë komuniteteve të caktuara duhen lejuar, por s’mund të bësh një xhami me kontribute nga jashtë, duhet ndaluar me ligj, duhet të funksionojë me kontribute të brendshme, të vetë besimtarëve. Janë disa moment interesante që duhet të merremi me to” deklaroi Manjani.

E ndërsa në ndarjen e portofoleve Ministrore, LSI mori drejtimin e drejtësisë me Ministrin e propozuar Nasip Naço, duket se edhe fokusi i kësaj partie do të jetë pikërisht këtu, përkundër vëmendjes së madhe ndaj ekonomisë përgjatë fushatës elektorale.  Sipas Manjanit kryereforma në vend  duhet të jetë ajo e ndërtimit të shtetit, duke vënë gjyqësorin mbi çdo pushtet tjetër. Në funksion të kësaj për nënkryetarin e LSI edhe Kushtetuta nuk është tabu, pasi ajo mbetet e tillë deri në pikën që ndihmon shtetëformimin.

“Në shqipëri kryereforma duhet të jetë ajo e ndërtimit të shtetit. Ne kemi një sfidë,ndoshta kjo qeveri dhe për shkak të rezultatit spektakolar ka shansin të fillojë reforma të mëdha, pikësëpari të pushtetit gjyqësor. Ky mandat zgjedhor është marrë për të bërë disa gjëra që nuk janë bërë ndonjëherë. Duhet të fillojmë të ndërtojmë shtet, të ndërtojmë gjykata mbi çdo pushtet tjetër. Një gjykata ku të shkojmë të trokasim dhe të mbarojë gjykimi brenda një muaji. Në funksion të kësaj edhe Kushtetuta nuk është tabu. Sistemi politik shqiptar është i mbyllur, në duar të pak njerëzve. Edhe reforma politike duhet të bazohet tek statusi i politikanit. Politikani nuk mund të jetë një hallexhi pa fund që sot është në majë të piramidës dhe nesër del për të lypur bukë. Politika e ka për detyrë të krijojë një sistem politik afatgjatë që të prodhojë sisteme qeverisje të hapura, transparente, të ndërtojë proçese. Zoti. Berisha tha para një viti se Presidenti do jetë një anëtar i kryesisë së PD dhe kshu u bë, ky nuk është proçes, është deklaratë e një njeriu të fortë që bëri atë që deshi. Gjatë gjithë muajit korrik e gjithë Policia e Shtetit u zhduk, thoshin se s’ka naftë,  foli një ditë Kryeministri në detyrë dhe pastaj dolën nga fillimi i gushtit. Nuk mund të funksionojë shteti sipas dëshirave të Kryeministrit. Çështja e Kushtetutës  është e rëndësishme, duhet të jetë tabu deri në pikën që ndihmon shtetëformimin. Një element  tjetër është çështja e drejtësisë penale” tha më tej ai.

Zoti. Manjani shtroi gjithashtu nevojën për  rikthimin e gjykatës së lartë në mandatin e saj kushtetues, ndërsa Prokuroria  duhet të ushtrojë ndjekjen penale, pasi sipas tij sistemi gjyqësor aktual është një sistem pa kokë. Ndërkohë që për të pasur një trupë gjyqësore sa më efiçente ai shprehet se duhet të rishikohet edhe trajtimi financiar i tyre.

“Në Shqipëri mungon hetimi. Faktin që policia duhet ta bëjë me ligj kjo ka sjellë konfuzion, Prokurori shqiptar sot ka një alibi në dorë dhe futet në strofën e tij në pritje të hetimeve të policisë. Ka alibinë pra që se kam bërë unë, por policia.  Ne duhet të bëjmë gjykatën e zakonshme të funksionojë. Kushtetuta thotë që Prokuroria ushtron ndjekjen penale. Gjykata e lartë duhet të kthehet në mandatin e saj kushtetues, nuk mund të jetë shkallë e tretë gjykimi. Është një kolaps i sistemit gjyqësor, është sistem pa kokë. Duhet ti shohim gjërat si janë brenda mandatit të kësaj Kushtetute. Ashtu siç është edhe çështja e trajtimit financiar. Duhet ta përmbysim këtë sistem dhe të ndërtojmë një sistem krejt tjetrër,nëse Presidenti e ka rrogën 2 mln lekë, gjykatësi i shkallës së parë duhet ta ketë 2,5 mln lekë. Aty ku gjyqtarët nuk paguhen korrupsioni është më i lartë. Shteti do vijë nga gjykata. Në të gjitha forumet e LSI do insistojmë mbi këtë çështje. Ekonomia është e rëndësishme, por nuk varet vetëm nga ne. Kemi detyrë ta bëjmë atraktive për ta drejtuar sa më shumë drejt prodhimit. Nuk kemi hequr dorë nga ato që kemi thënë, por tashmë me riformatimin e qeverisë detyrat janë të pozicionuara disi” përfundoi Manjani.