Negociatat me FRD-në, Basha:Sajesa të sforcuara të argatëve mediatikë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka cilësuar spekulime informacionet në disa media, për negociata me FRD-në. I pyetur nga gazetarët, Basha tha se PD nuk angazhohet në takime dhe marrëveshje të fshehta."Kam parë dje se ka pasur disa spekulime, lidhur me këtë temë. Do të thoja, janë "sajesa" të sforcuara të argatëve mediatikë, të "ustallarëve" të takimeve dhe marrëveshjeve të fshehta. PD nuk angazhohet në takime dhe marrëveshje të fshehta. PD po përgatitet për një opozitë parlamentare, në sezonin e ri parlamentar, për një opozitë të fortë, në mbrojtje të interesit publik por po kështu për një opozitë moderne, kreative dhe alternative dhe në këtë kuptim po farkëton bashkëpunim me aleatët e saj parlamentarë dhe është e hapur për çdo faktor shoqëror apo politik që e sheh veten të rreshtuar, në krah të interesit publik, përballë një mazhorance e cila akoma pa u "inauguruar" e kërcënon këtë interes, në çdo dimension"  deklaroi Basha.Basha gjithashtu bëri të ditur sot, se së shpejti pritet të mblidhet grupi parlamentar i PD i cili do të marrë një sërë vendimesh që lidhen me sezonin e ardhshëm parlamentar."Brenda një kohe shumë të shkurtër, me hapjen e sezonit të ri parlamentar, PD do të mbledhë grupin e saj parlamentar dhe do të marrë një sërë vendimesh që kanë të bëjnë me sezonin e ardhshëm parlamentar" - theksoi kreu i Partisë Demokratike.Deklaratat e Bashës u bë gjatë inspektimit të punimeve për rikontruksionin e kopshtit numër 1 në kryeqytet.