Basha: Javën tjetër koncesioni për terminalin

Në mbledhjen e fundit të qeverisë së kryesuar nga kryeministri Berisha pritet të miratohen edhe aktet e fundit të saj që lidhen me propozimin e bashkisë së kryeqyetit për shpronësimet për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës.Ky fakt është bërë i ditur nga kryebashkiaku Lulzim Basha i cili tha se javën që vjen do të lidhet kontrata me firmën fituese për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës.“Nesër, qeveria do të kalojë aktet e nevojshme për shpronësimin dhe po kështu gjatë javës do të lidhet kontrata me firmën fituese, pasi të merren edhe aprovimet e nevojshme nga organizatat që bëjnë financimin, në këtë rast Fondi i Zhvillimit të Abu-Dhabit” theksoi Basha.Po ashtu kryetari i bashkisë dha detaje edhe për fillimin e procedurave për ndërtimin e terminalit të ri të pasagjerëve ndërsa siguroi se angazhimi i tij është të flasë me vepra për banorët e kryeqytetit.“Për të bërë këtë vepër realitet, ne jemi angazhuar që ditën e parë, në bashkëpunim me BERZH dhe ka qenë pikërisht ky angazhim serioz që ka sjellë në një kohë rekord hartimin e fizibilitetit, hartimin e projektit, përzgjedhjen e projektit fitues dhe siç jeni informuar, javën e ardhshme ne nisim procesin e koncesionimit të terminalit. Terminali do të ndërtohet përmes një formule koncesioni, çka do të thotë se taksapaguesit e Tiranës apo taksapaguesit shqiptarë nuk do të nxjerrin asnjë lek nga xhepat e tyre por do të ndërtohet me fonde private dhe në këtë terminal do të strehohet stacioni i ri i trenit, në hyrje të qytetit të Tiranës, jo në Vorë, do të strehohet stacioni i tramit për linjën hyrje e qytetit – bulevardi i ri – “Zogu i Parë”- “Dëshmorët e Kombit”- “Nënë Tereza”, do të strehohet terminali i autobusëve, për të gjithë autobusët ndërurbanë dhe furgonët e licencuar ndërurbanë që hyjnë dhe veprojnë në qytetin e Tiranës, të gjithë do të stacionohen aty, pra nuk do të ketë më stacione as të ligjshme, as të paligjshme” u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.Ndërkaq ende mbetet dilemë se kur do të thërritet mbledhja e këshillit bashkiak të Tiranës. Sipas kryebashkiakut Basha, këshilli bashkiak do të mblidhet atëherë kur kërkesa të bëhet në mënyrë të ligjshme.Deklaratat e  tij kryetari i bashkisë së Tiranës i bëri pasi ka ndjekur nga afër mbylljen e punimeve për ndërtimin e rrugës “Pandi Stillu”në njësinë bashkiake numër 8, që është një investim prej 35 milionë lekësh.Kjo rrugë ka një gjatësi afro 500 metra linearë, me gjerësi totale të rrugës 6 metra, me trotuarë 1 m në të dy anët e rrugës dhe do u shërbejë mbi 4000 banorëve.