Çollaku: Shuma marramendëse për blerjen e votës, të hetohet financimi i fushatës

Një deklaratë e fortë e zëvendës.ministrit të Punëve të Jashtme vetëm 2 ditë pas proçesit zgjedhor,por e rithyer bujshëm ditët e fundit në median e shkruar ka risjellë edhe njëherë në vëmendje fenomenin e blerjes dhe shitjes masive të votës. Duke i qëndruar këtij pretendimi, Kreshnik Çollaku në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj pohoi se ka indicje dhe prova, që shuma të mëdha parash kanë qarkulluar në mbështetje të kundërshtarit, shuma të cilat sipas tij superojnë fuqinë e individëve në vendin tonë. Çollaku flet për pastrim parash nga qarqe të huaja, pse jo mafia rajonale, për të cilat ai kërkon një hetim nga organi i akuzës, pasi në të kundërt nëse ky kanal konsolidohet do të sillte destabilitet të vendit dhe vetë rajonit.

“E pashë lajmin e botuar, por vërejtja ime është se disa prej titujve kanë qenë spekulativë. Intervista apo komenti im ka qenë dy ditë pas zgjedhjeve, me 25 qershor. Qëndrimi im është se në këto zgjedhje ndodhi fenomeni i blerjes dhe shitjes së votës. Masivitetiti që u shfaq është shqetësues.Çfarë unë kam pohuar në intervistë është se shuma  të mëdha parash  përfliten që mund të kenë qarkulluar, gjurmë të tyre kemi, në rastin e Lezhës, Shkodrës, Pukës. Po të hetohen ka dhe prova të tjera, prova të gjalla.Një shumë kaq e madhe superon fuqinë e individëve. Nuk mund të jenë përherë shtete, por nuk përjashtohen edhe shtetet.  Mund të jenë fuqi të grupeve ekonomike informale ,mafia rajonale, interesa ekonomikë të një vendi apo tjetri. Fuqia e asaj shume superon individë të fuqishëm edhe  brenda vendit. Ka shumë indicje për të kërkuar një hetim nga Prokuroria e Përgjithshme, nga  të gjitha shërbimet tona.  Rreziku është se në rast ky kanal konsolidohet, atëherë nuk njeh ngjyra dhe janë të rrezikshme për stabilitetin e një vendi, çfarë nuk është në interes as të Shqipërisë dhe as vetë rajonit. Shqipëria ëhstë e përcaktuar në luftën kundër pastrimit të parave dhe terrorizmit. Ky vazhdon të jetë meraku im” deklaroi ai.

E ndërsa çështja i mbetet organeve kompetente për hetim, pse jo dhe vetë PD për ta faktuar me prova pretendimin e saj, një tjetër detyrë del përpara kësaj partie, oponenca.  Zoti. Çollaku deklaroi se PD dhe aletatët e saj opozitarë do të ndezin motorët për ti kujtuar në çdo moment Krymeministrit të ri dhe kabinetit të tij qeveritar premtimet e bëra gjatë fushatës, për të cilat edhe u votua nga populli.

“Ka një mazhorancë pjesërisht të re dhe do ketë dhe një opozitë të re. E reja e ngjarjes është opozita e re, me një lider të ri, një lidership të ri, një formë të re opozite, opozitë që vendi se ka parë në këto 23 vjet. Do jetë një opozitë konstrutive, nuk do bëjmë sjelljen e Ramës në krye të opozitës së shkuar dhe do kemi kurajon të përshëndesim çdo akt të mirë të qeverisjes. Nuk do lëmë që Rama të harrojë çdo premtim që ka bërë gjatë fushatës dhe për të cilat edhe u votua nga shqiptarët. Janë premtime madhore dhe të shohim sa do të mbahen. Të bën përshtypje se disa prej premtimeve madhore kanë filluar tu bien  kryq që sot, s’ka më legalizime falas. Reformën në shëndetësi, që pa filluar po e mohojnë. Ne do tua kujtojmë shqiptarëve çdo ditë. Duket se do vazhdojmë të kemi sërish taksën e sheshtë. Nuk do hezitojmë që për çdo kritikë të japim edhe alternativën tonë. Do ti vëmë një pasqyrë të madhe qeverisjes për ti treguar se ku shëmtohet dhe ku jo” theksoi Çollaku.

PD është në një proçes reflektimi për humbjen e thellë të qershorit, thekson zëvendës.ministri i Jashtëm, ndërsa parasheh se vitalizimi i të gjithë strukturave të partisë së djathtë më të madhe në vend do të mund të konkludohet si proçes brenda një muaji. Lidhur me pakënaqësitë e shfaqura nga figura të rëndësishme të PD pas zgjedhjes së kryetarit të ri, Çollaku është i mendimit se janë sheshuar dhe se nuk ka arsye që ato të shndërrohen në qëndrime, apo aq më pak në largime nga partia.

“Proçesi është çështje ditësh, kjo s’do të thotë që PD në këtë periudhë ka qenë në pauzë. Ka pasur një proçes analize, reflektimi, do fillojë të diskutohet edhe në mënyrë më strukturore dhe besoj se është çështje javësh. Ka një bum anëtarësimesh në PD. Çdo anëtar i PD e ndjen proçesin e reflektimit. Unë besoj se në një muaj mund të arrihet të konkludohet i gjithë proçesi i vitalizimit. Formula një anëtar një vote ishte një celës magjik brilant për të mobilizuar njerëzit.  Nuk ka asnjë lloj motivi që pakënaqësitë të shndërrohen në qëndrime.  Shkëputjet apo largimet duhen bazuar në situata konkrete, nuk ka të tilla. Pakënaqësitë sporadike pas zgjedhjeve besoj se janë të sheshuara dhe do sheshohen, janë krejtësisht personale. PD i duhet një proçes katarsisi  brenda vetes, si individë por edhe në grup, për të reflektuar mbi gabimet dhe për ti korrigjuar ato. Është një proçes rigjenerues” tha më tej ai.