Bien prurjet në Fierzë, shkak mungesa e reshjeve të shiut

Prurjet e ujit në liqenin e Fierzës, për shkak të mungesës së reshjeve të shiut prej disa muajsh, bien në nivelin minimal. Burime nga salla e komandës së hidrocentralit pohojnë se prurjet e ujit tashmë kanë zbritur në 33 metër kub ujë në sekondë, tregues që rrallë herë evidentohet në liqenin e Fierzës ku derdhen dy nga lumenjtë më të mëdhenj të vendit siç janë Drini i Zi dhe ai i bardhë. Prurjet minimale të ujit sipas ekspertëve kanë bërë që edhe niveli i ujrave të liqenit të bjerë me ritme më të shpejta.Ata shtojnë se ditet e fundit niveli i ujit ka rënë në 286,10 metra. Madje është evidente rënia me shpejtësi, ose me rreth 20 centimetra në 24 orë, duke bërë që niveli në brigjet e liqenit të pësojë rënie të theksuar. Në kushtet e thatësirës niveli i ujrave të liqenit të Fierzës, që shërben si rregullator edhe për liqenet e Komanit e të Vaut të Dejës,vazhdon të bjerë dhe specialistët thonë se përmirësimi mund të vijë vetëm me fillimin e stinës së reshjeve që ende duket e largët në zonën verilindore.Rajoni Kukësit eshte përfshire nga një shi i cili nuk zgjati më shumë se 1orë, por që nuk pritet që të ndikojë shumë në prurjet që vijnë në basenin e Fierzës. Kjo situatë thatësire, karakteristike për stinën e verës, pritet që të rëndojë situatën e prurjeve, gjë që mund të ndryshojë vetëm pas muajit shtator, atëherë kur do fillojnë reshjet dhe përmirësojë situatën në kaskadën e Drinit si burim kryesor për furnizimin me energji elektrike të vendit.