MPJ dënon përdorimin e lëndëve helmuese luftarake në Siri
Ministria e Punëve të Jashtme, me anë të një deklarate për mediat, ka dënuar me forcë përdorimin e lëndëve helmuese luftarake kundër popullsisë civile në Siri.“Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë ndjek me shqetësim përkeqësimin e situatës në Siri, veçanërisht pas ngjarjeve të ditëve të fundit, ku raportohet të jenë përdorur lëndë helmuese luftarake kundër popullsisë civile në kryeqytetin e vendit, Damask.Ministria e Punëve të Jashtme dënon me forcë përdorimin e lëndëve helmuese luftarake kundër popullsisë civile dhe i bashkohet komunitetit ndërkombëtar që kërkon një veprim të menjëhershëm dhe të vendosur ndaj këtij akti të paprecedent dhe gjetjen e autorëve që kanë urdhëruar dhe realizuar veprime të tilla barbare, të cilësuara si krime kundër njerëzimit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.