“Shqipëria e Gjeneratës Tjetër”, vijon sot dita e dytë e konferencës së PS
Partia Socialiste vijon sot ditën e dytë të konferencës me titull “Shqipëria e Gjeneratës së Re”, ku marrin pjesë 32 arkitektë, planifikues urbanë, ekonomistë nga e gjithë bota. Konferenca do të fokusohet në ndërtimin e një vizioni të ri për formësimin e një modeli të ri ekonomik për një zhvillim të qëndrueshëm. Synimi është të grumbullohen eksperienca të suksesshme ndërkombëtare në mënyrë që të gjenden zgjidhjet më të mira për sfidat madhore me të cilat përballet Shqipëria.Konferenca dyditore “Shqipëria, gjenerata tjetër”, në ditën e parë trajtoi problematikat që lidhen me çështjet urbane. Që në fillim të fjalës së tij, Kryeministri i zgjedhur Edi Rama tha se vendi është duke vuajtur nga mospasja e një modeli zhvillimi, që e ka futur atë në një situatë alarmante në të gjithë territorin.E që kjo situatë të ndryshojë, duke mos mbetur thjesht një ambicje e tija personale dhe e Qeverisë Edi Rama parashtroi zbatimin e një modeli tjetër qeverisje të territorit.Arkitektë dhe urbanistë me emër nga vende të ndryshme të botës, përcollën në konferencë në mënyrë të përgjithshme gjetjet nga terreni pas dy ditësh vëzhgimi në zonat informale si në Paskuqan, Kamëz, zonën e ish-Kënetës në Durrës dhe amfiteatrin e këtij qyteti. Ata u shprehen për nevojën e një plani kombëtar të hartuar me një konsultim të gjerë publik.Ndërsa ministrja e ardhshme e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni deklaroi se ekspertiza ndërkombëtare do të jetë një përqasje e vazhdueshme duke marrë modelet më të mira të rajonit.