Rrëfejza (politike) nga Velipoja… A (s)jemi NJË?
Është hera e dytë që po vizitoj Velipojën. Kur vjet e pata marrë këtë rrugë, më patën përcjellë gjithfarë sugjerimesh: “Jo mos shko, se të vjedhin”, “jo, se ata nuk dinë se ç’është turizmi”, “se për një kafe do të presësh gjysmë ore…” e çka jo tjetër!Por të gjitha ngjanë nga pak në të vërtetë, por në një formë shumë më të butë, madje-madje nganjëherë më shkonte mendja se jemi në Prishtinë! “Klan Kosova” kishte për të thënë “JEMI NJË”, që në thelb ashtu është, por dallojmë me vese, doke e zakone nga qyteti e krahina, që nga Mitrovica e deri në Sarandë…“U sulmua autobusi që ishte me udhëtarë për Ulqin”, “U sulmuan dy makina me kosovarë nga njerëz me maska”, ishin vetëm dy nga titujt që e patën tronditur Kosovën në fillim të verës së sivjetme…A është e mundur? Prapë dhuna, prapë hajnia, prapë vallë maskat edhe në kohën e demokracisë, kur Shqipëria po bëhet gati të trokasë në dyert e mëdha të demokracisë?!Dorën në zemër, Velipojën sivjet e gjeta më të bukur, më të hijshme… Ishin bërë do investime të vogla në sektorin publik, por dora shkatërrimtare kishte filluar me mbrapshtitë e veta, duke shkulur nga vendi çdo gjë, ta zëmë, nga WC-të publike që ishin ngritur afër plazhit. E mos mendoni ters për WC-të publike, se pikërisht për këto në Prishtinë ka plasur sherri ndërmjet bashkisë së qytetit dhe Ministrisë së Mjedisit, sepse qytetarët e asaj lagjeje mendojnë se WC-ja publike kundërmon, pra, sipas tyre, duhet që një qytet i madh të mos ketë fare WC publike, por ta bëjnë, mender me thënë, nevojën në brekë!!!Stacioni i autobusit, ai që ka qenë edhe vjet, i parregulluar, si në fushë, nuk ke ku të presësh në një karrige të hairit, në gjelbërim, nën një mbulojë për diell…Pronari i hotel “Qetësisë” kishte shtruar një gjysmë kilometri me rërë, krejt privatisht, po merrni me mend sikur të ishte asfaltuar ajo rrugë dhe disa të tjera dytësore, do ta zbukuronin Velipojën edhe më shumë!Dhe, kosovarët erdhën në Shqipëri edhe kësaj vere! Pas Ramazanit dhe Bajramit të Madh, ku më lirë e ku më mirë e ku më afër se në bregdetin shqiptar? Ashtu u bë. Tregtia është tregti, s’ka këtu patriotizëm: Çmimet filluan të ngrihen brenda natës… Vëllezër jemi, por kosi shitet me pare, thotë fjala e moçme popullore!Plazhi i mbushur spic. A doni dardha e fik Shkodre? E puslica prej Gjakove….Njoftohet njerëzit, Shabani nga Marevci me Arsenin nga Pogradeci, Martini nga Shkodra me Sylën nga Prishtina…“Nuk e keni parë ju Velipojën para 20 vitesh, as hija e saj nuk i ka ngelur”, më thotë miku im, Agim Rudi, skulptor nga Prishtina. “Ka pasur edhe bunkerë, që tash nuk janë më…”E mua më shkoi mendja pikërisht te bunkerët! Pse të rrënohen vallë varg e vi? Nga urrejtja ndaj një sistemi diktatorial, në mos u përsërittë kurrë më! Pajtohem, por nuk pajtohem që të jenë rrënuar rrafsh me tokë! Pse të mos ishin zgjedhur ata më pikantët, në vendet karakteristike, dhe të shndërroheshin në pjesë-muze të një historie shumë domethënëse?! Në mos asgjë tjetër, kanë mund të shndërrohen edhe në kafeteri për rini, ashtu siç kanë vepruar Gjermania Lindore, Çekia, Polonia e të tjera vende kur kanë dalë nga Lufta e Dytë Botërore?Kur jemi te bunkerët, atëherë nuk më pëlqeu mbledhja e parë e qeverisë nën hije (e Ramës) e bunkerizuar, ajo që pas pak ditësh do të marrë edhe zyrtarisht pushtetin! Nëse po themi se demokracia ka 20 vite që ka lëshuar rrënjë në Shqipëri, nëse po lavdërohemi se transparenca është një nga veçoritë e para të demokracisë, atëherë fillimi i kësaj qeverie nuk është aq shpresëdhënës… Nuk më pëlqeu as reagimi i qeverisë në ikje (Berisha), sepse sido të fliste, ters do t’i merrnin, e ai, fatkeqësisht, vazhdoi me avazin e vet të vjetër, si të mos ishte politikan i karrierës!Në Shqipëri dhe Kosovë, gati krejt njësoj, një rivalitet i pashembullt (për të keq!) ndërmjet subjekteve politike, ndërkaq që sovrani (POPULLI) habitet dhe është i zhgënjyer si këtu, edhe atje!Liderët në Ballkanin Perëndimor, zakonisht në fillim të karrierës, e kanë gojën të mbushur me POPULL, por më vonë e harrojnë atë dhe hallet e tija të shumta, por shikojnë punët e veta e të klaneve të veta sunduese “Vaj Vatani, e mjerë Mileti…”Si në Shqipëri, njësoj e pak më keq ndoshta në Kosovë, ngjashëm në Maqedoni, edhe më pus në Serbi e Bosnjë…Larg është Brukseli!Kryesorja afër për mua është Velipoja, ndërkaq që nuk kam “kaçik” për Dhërmi e Ksamil, sepse edhe pas 45 vitesh në gazetari unë ia kam dalë më shumë se kaq. Nuk jemi njësoj. Barazimtaria po thonë se ka qenë një mashtrim i së kaluarës.Kalofshi mirë pushimet edhe ju në banesa të nxehta, edhe ju në mal e në vërri, edhe ju nga Ulqini e deri në Sarandë e, pse jo, edhe ju në Antalia, në Dubai e në Ishujt Sejshel…***Jemi, s’jemi një, këtë duhet dëshmuar me fjalë e jo me parulla (e pallavra)!Pret mishi i Shqipërisë në doganën e Kosovës dhe nuk bën që të shkel atje, arsyeja: burokratike, që dikush të tregojë muskulaturën e demokracisë (i thënçin!).Presin patatet e Pestovës së Kosovës në Vermicë me ditë të tëra dhe nuk kapërcejnë “kufirin vëllazëror”.Me javë të tëra u ngrit pluhuri se si Kosova vuri embargo në importimin e çimentos së Shqipërisë, ani pse sa për sy e faqe ishin nënshkruar marrëveshje e, mbi to, ishin bërë fotografi sa të bukura për opinion, ndërkaq që specat e Krushës së Anadrinisë së Kosovës “kishin fjetur” me net të tëra në kufirin, si po i thonë ata më të zëshmit, “shqiptaro-shqiptar”…Më në fund e bëmë si e bëmë një abetare të përbashkët, shkuan të dy kryeministrat e të dyja vendeve dhe u fotografuan në një hale sportive në Prizren, që të dukej se si po e përurojnë një libër që na bashkon!E aso libra që na kanë bashkuar kanë arritur nga Tirana që nga vitet e ‘70-të e tëhu, por edhe nga Prishtina në Tiranë. Kjo i bie sikur dikush tash ta ketë zbuluar ujin e nxehtë!A mos kemi qenë shumë më afër njëri-tjetrit kur na ndante një kufi gjembor e fusha të minuara me dekada? Të thotë mendja se po!Dhe kemi këmbyer përvoja, dhe kemi mësuar shqipen nga profesorët më eminentë të Universitetit të Tiranës, dhe iniciativa për zbatimin e gjuhës standarde shqipe rrodhi pikërisht nga dijetarët e Institutit Albanologjik të Prishtinës…Po më thoni, nëse jam gabim?Poetë e shkrimtarë nga të dyja anët mbanin manifestime të përbashkëta, sa mirë! “Realizmi socialist” u puq me vargun e lirë të Ali Podrimjes…dhe doli diçka e re, diçka e bukur, e PËRBASHKËT!Këngëtarë të estradës, instrumentist dhe valltarë, sidomos nga Tirana, na vinin në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan, Ferizaj e Mitrovicë dhe e kallnin, dhe na bënë që të ndiheshim se nuk kemi jetimë, se nuk jemi të humbur se kemi dikë që është si ne…Dhe aso kohe dëshironim të ndiheshim se jemi vërtet NJË!Dhe dëshiruam dyshtetësi. Thanë se për kosovarët tani për tani nuk bën, se ata kanë zgjedhur rrugën e Brukselit, e atje do të jemi së bashku!Pra, Brukseli na bashkon, ndërkaq që serbët e Mitrovicës e ata të Graçanicës kanë të drejtë në dy shtetësi dhe së bashku, Kosovën dhe Serbinë, të mirë u pafshim në quk të Brukselit…Po nëse shkoni në Tetovë, i kanë edhe nga tri nënshtetësi (maqedonase, shqiptare dhe kosovare…)Kam të drejtë apo flas pa lidhje nga sikleti që më ka rrokur kur shoh se disa gjëra ju në Tiranë e ne në Prishtinë kemi mundur t’i bëjmë më mirë, kemi humbur shumë kohë duke i shpallur “beteja” të kota njëri-tjetrit, kurse kemi humbur hapin me kohën…Në emër të popullit kemi bërë edhe veprime antipopullore e antikombëtare, që historia nuk do të na i fal kurrë!Pra, a jemi a s’jemi NJË?Gjykojeni vetë…***Jemi një, kjo nuk do mend. Zhvillimi i shoqërive tona është bërë në kushte të ndryshme, krejt të tjera, ndërkaq që, kur po trokasim në dyert e Brukselit, atëherë të bëjmë të pamundurën që t’i shërojmë plagët tona, që na bëjnë të dallohemi për të keq nga popujt e tjerë europianë!Të dëshmojmë se kemi qenë dhe do të jemi popull i civilizuar dhe se i përkasim civilizimit europian që nga lashtësia…Kështu duhet të jemi NJË e jo me përralla e pallavra e “folklor patriotik”Burimi : mapo.al