Daçiç: Dëshiroj të votoj në Kosovë, do ishte një mesazh i mirë për serbët e veriut

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar mbrëmë se nuk e di nëse ka të drejtë të votojë në zgjedhjet lokale të 3 Nëntorit në Kosovë, por që gjithsesi do të dëshironte të votonte, në mënyrë që të nxiste serbët që të dalin në zgjedhje lokale të Nëntorit.Pas bisedimeve që pati me zëvendëskryeministrin dhe shefin e diplomacisë sllovake, Mirosllav Lajçak, Daçiç tha se e ka pyetur drejtorin e zyrës për Kosovën, Aleksandar Vullin, se a ka të drejtë të votojë në zgjedhjet kosovare pasi është i lindur në Prizren. Mirëpo, për këtë akoma nuk ka marrë përgjigje."Nuk e di se a kam të drejtë vote, por mendoj që pjesëmarrja ime në ato zgjedhje do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për serbët e Kosovës, sepse në këtë mënyrë do t'iu tregonim të gjithë serbëve që duhet të dalin në zgjedhje, gjë që është me rëndësi sepse organet serbe në Kosovë do të mund të konstituoheshin edhe zyrtarisht dhe do të pranoheshin ndërkombëtarisht", tha Daçiç. Një ditë më parë, Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiç, e ka përjashtuar mundësinë që kryeministri serb, Ivica Daçiç, ta shfrytëzojë të drejtën e votës në Kosovë më 3 Nëntor. "Ai është i lindur në komunën e Prizrenit, por ai nuk është banor i asaj komune, kështu që Ligji ia pamundëson atij marrjen pjesë në zgjedhje", ka thënë Jevtiç.