Përfundon rinumërimi për Shkodrën, KQZ: Nuk ka ndryshim rezultati
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, mbylli sot rreth orës 16:30 rinumërimin e votave të qarkut Shkodër, duke mos sjellë ndryshim rezultati në këtë qark.Pas katër ditësh, 8 grupet e numërimit të vendosur në ambientet e KQZ-së, mundën të rinumëronin 417 kuti në total të kësaj zone zgjedhore.Nga rinumërimi, Partia Demokratike mundi të marrë 78 vota më shumë, ndërsa Partisë Republikane i nevojiteshin edhe 158 vota për të fituar mandatin e deputetit.Në mbyllje të këtij proçesi, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Njazi Kosovrasti, tha se rinumërimi solli një përmirësim të rezultatit për Shkodrën në favor të PD-së, edhe pse nuk pati ndryshim mandatesh. Ai tha se i gjithë ky proçes i shërbeu transparencës së plotë të proçesit zgjedhor.Sipas vendimit të miratuar pak ditë më parë, para se të niste rinumërimi për Lezhën, KQZ vendosi me 4 vota pro të rinumërojë edhe 417 kuti votimi të qarkut të Shkodrës.Në nisje të proçesit, Partia Socialiste kërkoi shtyrjen e proçedurës së rinumërimit të votave për Qarkun e Shkodrës, deri sa Kolegji Zgjedhor të shprehet për kërkesën ankimore të PS-së, lidhur me vendimmarrjen e KQZ-së për këtë qark.Partia Socialiste ka depozituar në Kolegjin Zgjedhor ankimin e dytë që synon të shfuqizojë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për rinumërimin e 8 KZAZ-ve të qarkut të Shkodrës. Vendimi pritet të merret nesër.