Panariti: Palët të miratojnë tre ligjet e kërkuara nga Brukseli
Një ditë pas dështimit të votimit të tre ligjeve të vendosura kusht për integrimin, ministri i jashtëm Edmond Panariti i ka bërë thirrje partive të vendosin interesat e shqiptarëve mbi ato partiake dhe të miratojnë sa më parë aktet në Kuvend.Në një tryezë të organizuar nga Lëvizja Europiane Shqipërisë, “Përtej statusit kandidat të BE-së", Panariti tha se integrimi kërkon mbi të gjitha bashkëpunim."Edhe njëherë dua ti bëjë apel palëve politikë të finalizojnë sa më parë tre ligjet e kërkuara për marrjen e statusit. Miratimi i tyre nuk i shërben qeverisë apo politikës por në radhë të parë i shërben qytetarëve dhe projektit të tyre të integrimit. Unë besoj se nëse palët do të udhëhiqen nga interesi jetik i qytetetarëve dhe i shoqërisë shqiptare, nëse ata nisen nga interesi kombëtar atëherë nuk mund të ketë asnjë pengesë për miratimin e tyre dhe kështu do ti hapet rrugë marrjes së statusit të kandidatit këtë vit" tha Panariti.Ndërsa kreu i komisonit të integrimit Ditmir Bushati tha se përtej 3 kushteve integrimi kërkon zgjedhje të lira, luftë ndaj korruopsionit e krimit të organizuar.Seanca e së enjtës u mbyll pa miratuar tre projektligjet e vendosura si kusht nga Brukseli për marrjen e statusit të vendit kandidat.Shpresa e fundit mbetet arrijta e një konsensusi përmes negociatash deri në 19 nëntor, pasi afati i vënë nga Brukseli skandon një ditë më pas.