Votimi i 3 ligjeve, Bizhga: Kohë e mjaftueshme, nëse Berisha zgjidh Fierin
Opozita vazhdon ta konsiderojë alibi të Kryeministrit Berisha faktin se integrimi i vendit kalon përmes kalimit të tre ligjeve të rekomanduara nga KE në Parlament. I ftuar në RTV Ora News, deputeti i PS Gazmir Bizhga, duke iu referuar dhe shqetësimeve të fundit të disa prej vendeve të BE lidhur me ecurinë e reformave në vend, ritheksoi se integrimi nuk mbyllet thjesht me deklaratën e PE sot. Pavarësisht dështimit të seancës së sotme parlamentare, apo edhe bindjes se jemi të rrezikuar në marrjen e statusit kandidat edhe nëse këto ligje kalohen, Bizhga shprehet se kjo mund të kalohet si procedurë nëse Kryeministri i vendit gjen vullnet për ti dhënë zgjidhje cështjes së Fierit përpara datës 20 nëntor."Është një alibi e madhe që integrimi është cështja e tre ligjeve. Janë dhe 8 rekomandime të tjera të parealizuara, korrupsioni, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër krimit etj. Rregullorja e parlamentitka mbetur pezull vetëm në sajë të mungesës së vullnetit të Kryeministrit, apo ai i gjykatës së lartë kur ai vetë nuk respekton vendimet e saj. Edhe në këto tre ligje është krejtësisht në vullnetin e Kryeministrit që të zgjidhë cështjen e Fierit, natyrisht duke bërë edhe plotësimet e duhura ligjore.Integrimi i vendit nuk mbyllet thjesht me shprehjen e PE sot. Vendet e BE kanë shprehur shqetësime serioze kohët e fundit. Edhe nëse i miratojmë këto ligje ne jemi të rrezikuar nga KiE për marrjen e statusit në varësi të këtyre problemeve. Por megjithatë vlerësoj se ka kohë , nëse Kryeministri ka vullnet " deklaroi ai.Duke mbetur sërish në sencën e sotme parlamentare, Bizhga u shpreh se rezultati i saj ishte i pritshëm, pas hezitimit të mazhorancës për ti dhënë zgjidhje qarkut të Fierit. Duke vlerësuar se e gjithë kjo betejë e mazhorancës po bëhet në funksion të manipulimit të zgjedhjeve të ardhëshme parlamentare të 2013, Bizhga shprehu shqetësimin edhe në lidhje më rivlerësimin e shpërndarjes së mandateve nëpër qarqe, ku sipas tij në qarqet e fituara nga mazhoranca janë evidentuar shtesa artificiale të numrit të popullsisë.“Ishte e pritshme. Kreu i PS u bëri ftesë publike partive parlamentare për tu ulur në tryezë dhe për të gjetur një zgjidhje për cështjen e fierit dhe cështjet e integrimit të vendit. Absolutisht ftesa e Zotit.Rama ishte krejtësisht e sinqertë, do fillonte me Fierin pasi është cështja më e nxehtë për të vazhduar dhe me cështje të tjera të integrimit e deri tek mbajtja e zgjedhjeve. Këmbana për manipulim të zgjedhjeve të ardhshme po bie, ka shumë të vërteta për disa arsye, rivlerësimi i shpërndarjes së mandateve nëpër qarqe bëhet në varësi të regjistrimit të popullsisë në këto qarqe. Shtohet qarku i Kukësit. Ka shtesa artificiale, i shtohen Kukësit dhe i ulen Beratit për ti marrë një mandat PS. Qarku i Fierit është një histori më vetë manipulimi, s’është rastësore, është qarku i dytë pas atij të Tiranës, është tendenca për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme. Nuk është paranojë, por alarm që opozita e ka dhënë herë pas here për të shmangur momentin e fundit. Janë bërë zgjedhjet, është zgjedhur një kryetar qarku, ka fituar kandidati i PS, nuk është legjitimuar nga Prefekti dhe më pas kanë filluar mocionet në disa komuna dhe bashki. Të tre gjykatat kanë saktësuar që mandati i parë në mbledhjen kostituuese është katërvjecar dhe i pandryshueshëm, mungon vullneti për të respektuar vendimet e gjykatave” tha deputeti Bizhga.Deputeti i PS ka folur edhe lidhur me akuzën e opozitës ndaj MM për përgjim të opozitës nga SHISH:“Kemi kërkuar të kryejmë detyrën tonë mbikqyrëse në MM dhe jemi penguar. Opozita ka bërë publike disa dokumeta, të cilat tregojnë që janë blerë disa paisje të shtrenjta përgjimi, janë dokumenta zyrtarë. Nga treguesit këto janë përdorur nga SHISH për përgjimin e opozitës. SHISH nuk ka të drejtë sipas ligjit të bëjë përgjime të shërbimeve elektronike. Paisjet duhet të blihen me pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm, ai s’ka pasur dijeni. Ne do të kryejmë misionin tonë, besoj se do ta nisim me përgjimet, por dhe cështjet tjera nuk do të mbeten jashtë vëmendjes. Kërkuam ngritjen e një Komisioni hetimor, na u bë barrierë, na u tha të merreshim vecantas dhe ne këtë do të bëjmë do ti shkojmë deri në fund kësaj cështje”.