Eshtrat e Mbretit Zog kthehen në atdhe

Pas 51 vjetësh nga vdekja e Ahmet Zogut tanimë eshtrat e tij do të prehen në Shqipëri. Eshtrat e mbretit Zog  janë transportuar  nga Franca në vendin tonë ku edhe do të varrosen në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore.Arkivoli me eshtrat e Mbretit Zog mbërriti në orën 08:15 të mëngjesit të sotën në aeroportin  “Nënë Tereza” ku u prit nga ministrat Flamur Noka, Arben Imami dhe Aldo Bumçi, nga dy Zv. ministrat Edith Harxhi dhe Ekrem Spahiu si dhe nga Princ Leka II dhe pjesëtarë të tjerë të familjes mbretërore.Arkivoli me eshtrat e Mbretit Zog u vendos në shtratin e topit dhe më pas u nis drejt banesës së Familjes Mbretërore ku do të qëndrojë për një ditë, ndërsa nesër arkivoli do të zhvendoset  në Pallatin e Brigadave ku për dy orë do të zhvillohen edhe homazhet.Ndërkohë nesër në orën 12:30 do të zhvillohet ceremonia e rivarrimit të eshtrave në Mauzoleumin e ndërtuar në kuadër të këtij viti jubile, vendi i njohur si varri i Nënës Mbretëreshë.Mauzoleumi ka një sipërfaqe prej 75 metra katrorë me një lartësi 14. 7 metra. Në qendër do të vendoset varri i Nënës Mbretëreshë, ndërsa në murin përballë do të vendosen pllakatet e varreve të familjes mbretërore. Objekti është i lartë 10 m, ndërsa kupola 4.7 m.