Betimi i Hipokratit, jo i Hipokritit

Në çastin kur po hyj në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit. Që nga fillimi do ta ruaj jetën e njeriut në mënyrë absolute”. Dhjetëra mjekë vendas e kanë harruar me kohë këtë pjesë të betimit të Hipokratit që duhet të jetë kryefjala e profesionit të tyre. Shohin sa i trashë është zarfi nën dorë duke iu përmbajtur me përpikëri një tjetër betimi, atij të Hipokritit. Nuk janë të vetmit. Me sa duket, zbatimi ose moszbatimi i postulateve me nota humaniste nuk varet nga kombësitë, por nga ndërgjegjja individuale.Dy vdekjet e fundit të pacientëve, ku përgjegjësia u atashohet mjekëve të huaj, janë mëshirimi më i mirë i antidodave të profesionistëve të cilëve u dorëzojmë jetën.Vdekja e 11-vjeçarit Denis Almadhi është rasti i dytë brenda pak javësh që vë para përgjegjësisë mjekë të huaj që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Fëmija humbi jetën në sallën e operacionit ndërsa po i nënshtrohej një ndërhyrjeje estetike në sy nga një staf i specializuar irlandez.Pas akuzave të prindërve për mjekim të pakujdesshëm dhe reagimeve nga drejtuesit e Shëndetësisë, ekspertiza mjekoligjore doli në konkluzionin se kemi të bëjmë me një aksident mjekësor e vogëlushi vdiq pas 8 arresteve kardiake.Kjo ngjarje fashiti zhurmën për rastin “Simonçini”, onkologu italian që pretendon se shëron kancerin me Bikarbonat natriumi. Një 27-vjeçar me të njëjtën shtetësi humbi jetën rrugës për në QSUT pak ditë pasi kishte nisur të aplikonte kurën “çudibërëse” të këtij mjeku. Hetimet nuk kanë përfunduar, ndërsa faktet e publikuara zbardhën pafuqinë e autoriteteve shëndetësore për të kontrolluar aktivitetin e cilitdo mjek me pasaportë të huaj. Mjafton të dorëzosh një tufë letrash e dëshmish, dhe e merr lehtësisht licencën e ushtrimit të profesionit, njësoj si të bëhet fjalë për hapjen e një biznesi pajisjesh hidrosanitare. Këtë fat e pati edhe Tulio Simonçini, ndonëse i akuzuar për mashtrim dhe vrasje të qëllimtë në Itali.Në fakt, nuk kam mundur dot ta përtyp bisedën dhe takimin me të dy javë më parë. Në pamundësi për t’i marrë ndonjë prononcim duke u prezantuar si gazetare, m’u desh të sajoja një takim si e afërmja e një pacienti të sëmurë me tumor. Gjatë telefonatës paraprake me mjekun Simonçini dëgjova mbi pesë herë fjalën “euro” dhe “lekë” që duhet të paguaja për konsultën me të. Akoma më shokues ishte takimi në kafenenë e hotelit “Diplomat”, ku doktori nuk na la të merrnim frymë sapo mësoi se nuk i kishim 150 eurot me vete. Nuk më shqitet nga mendja fjalia e tij me një mimikë të acaruar: “Atëherë, për çfarë më keni thirrur? Më bëtë të humb kohë”. U përpoqa të mos e vë veten për shumë gjatë në pozicionin e familjarit të një të sëmuri me tumor. U përpoqa të mos ngarkohesha, duke menduar si të vërtetë dëshpërimin e një motre, vajze apo djali që do të paguante shtrenjtë jo vetëm sodën e bukës, por çfarëdolloj trajtimi që do të mund t’i zgjaste sadopak jetën prindit apo të afërmit të tij. Arroganca e Simonçinit ishte therëse. Deklaratat e autoriteteve shëndetësore se nuk kishin ku ta gjenin për t’i hequr licencën, gjithashtu qesharake. Mjeku italian kontaktohej aq lehtësisht! Më therëse arroganca e tij m’u duk tri ditë më parë, pas takimit me një tjetër mjek. Edhe ky i huaj.Jack Mccan, kryetari i shoqatës “Miqtë e Shqipërisë”, nuk ka asnjë lidhje direkte me operacionin e Denisit 11-vjeçar që humbi jetën te Spitali Francez. Por ai doli publikisht duke ngushëlluar familjen Almadhi në emër të të gjithë ekipit irlandez. Që prej gati 10 vitesh ai punon vullnetarisht në Shqipëri dhe koordinon kontaktet me specialistët irlandezë që vijnë dhe operojnë gjithashtu falas, sa herë që u kërkojnë ndihmë bluzat e bardha në vendin tonë. Shoqata që ai drejton ka mundësuar ardhjen e specialistit të okulistikës nga Irlanda, i cili operoi vogëlushin. Gjatë takimit që zgjati më shumë se një orë e 30 minuta u përpoq që në detaje të zbatonte etikën e mjekut dhe, nga ana tjetër, të na përgjigjej. Por, pikërisht atëherë kur u konsumuan të gjitha pyetjet, biseda me të doli jashtë çdo parashikimi. “Do të doja të isha unë në vend të tij. Sepse jeta ime tani ka marrë fund, ndërsa ai fëmijë sapo e kishte nisur. Ishte një gjë mjaft e rëndë për të gjithë ekipin tonë. Nuk e dimë nëse do të vijmë më në Shqipëri”, tha mes lotësh. Nuk u shpëtuan lotëve as anëtarët e stafit të tij. Asnjëri prej tyre nuk kishte arsye pse të përdorte variantin e  krokodilit. Me mbështetjen që morën nga të gjithë drejtuesit e Shëndetësisë, ishte e sigurt që në fillim se edhe pas ekspertizës mjekoligjore ligjërisht nuk kishte asnjë mundësi të fajësoheshin. Pavarësisht sforcimit për t’i parë objektivisht këto takime, e pata të pashmangshme t’i diferencoja këta dy profesionistë me përparëse të bardhë. Të dy të huaj në Shqipëri.Burimi