KLD shtyn shqyrtimin e masës disiplinore ndaj gjyqtarit NeritanTabaku
Ndërsa nuk i rikandidua si anëtar i PS në Komisionin e ri Zgjedhor, KLD ka emëruar në mbledhjen e ditës sotme si gjyqtar në gjykatën e Tiranës, Artan Lazen. Me 11 vota pro dhe 2 kundër ish-anëtari i KQZ, Artan Laze i është bashkuar togave të zeza të gjykatës së kryeqytetit, ndërsa emërimi i tij është mbështetur edhe nga kreu i KLD, Presidenti Bujar Nishani.Ndërkaq po në këtë mbledhje është rikonfirmuar si kryetar i gjykatës së Elbasanit Arben Vrioni, duke marrë kështu mandatin e dytë nga KLD-ja në krye të kësaj gjykate. Më tej Flutura Hoxha është emëruar në gjykatën e Pukës, duke mos i'u dhënë një mandat i dytë si inspektore e KLD.Nga ana tjetër Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shtyrë shqyrtimin e masës disiplinore ndaj gjyqtarit Neritan Tabaku, gjyqtari që liroi Ilir Xhakjen, ekzekutuesi i kryepolicit të Shijakut, Adem Tahiri. Shtyrja është kërkuar nga nënkryetari i KLD, Elvis Cefa, pasi sipas tij gjyqtari Tabaku nuk është njoftuar. Por ky fakt është kundërshtuar nga Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, i cili ka deklaruar se gjyqtari e ka marrë njoftimin dhe askush nuk mund të tallet me KLD-në.Nga ana tjetër Presidenti Nishani është shprehur se askush nuk do të mundet të pengojë ushtrimin e detyrës së KLD-së, ndërsa ka shtuar se KLD do mblidhet një ditë vetëm për diskutimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit Neritan Tabaku.Ndërkohë mbledhja është shoqëruar edhe nga diskutime për inspektoriatin e KLD, ku anëtari i këtij institucioni Neshat Fana është shprehur se duhet reformuar inspektoriati i KLD-së, pasi kontrollet e tij kanë qenë fiktive, duke shtruar nevojën e prurjeve të reja të kandidatëve.“Nuk kemi mundësi për prurje cilësore në inspektoriatin e KLD-së” është shprehur Ilir Mustafaj.“Korrupsioni përbën shqetësim real për drejtësinë. Punën e ndarjes të të korruptuarëve nga jo të korruptuarit e bën inspektoriati. Por evidencat tregojnë se inspektoriati nuk ka luftuar korrupsionin. Inspektoriati duhet të reformohet” ka deklaruar Ministri Halimi.Po kështu KLD ka miratuar inspektimin për gjykatën e shkallës së parë për çështjet e dhunës në familje nga janari 2011-janar 2012, ku inspektoriati do inspektojë urdhrat e mbrojtjes dhe arrestet shtëpiake.