Ndërtimi në krizë, numër i madh apartamentesh të pashitura

Ndërtimi vijon që të jetë në krizë të thellë edhe gjatë 3 mujorit të parë të këtij viti. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa gjatë tremujorit të pare të 2013-ës është 22, nga të cilat 20 leje janë miratuar për ndërtesa banimi dhe 2 për ndërtesa të tjera, si hotele apo ndërtesa tregtare.Krahasuar me tremujorin e katërt të 2012-ës, ky tregues është ulur 69.8%. Që prej gjashtë vitesh sektori i ndërtimit ka hyrë në një krizë të  rëndë. Ngërçi i sektorit ka bërë që edhe shitja e apartamenteve të pësojë një goditje të fortë. Shpërndarja e stokut të banesave të pashitura në Shqipëri, e cila vjen nga vetë Shoqata e Ndërtuesve, flet për një vëllim prej rreth 4000 apartamentesh që nuk po shiten në zonën Tiranë-Durrës.Ndërkaq, nga kjo situatë duket se po vuan edhe industria e lëndëve të para të ndërtimit, si nga zhavorri, pllakat, tullat dhe paisjet hidrosanitare. Sektori i ndërtimit në vendin tonë para disa vitesh ka qenë motor i zhvillimit, por tashmë kjo situatë ka ndryshuar. Kjo ka ardhur së pari si pasojë e efekteve të krizës ekonomike e natyrisht që është ndihmuar edhe prej borxheve të shumta që qeveria ka ndaj firmave ndërtuese në vend.Aktualisht, mendohet se vlera e krijuar e borxhit është diku te 200 milionë euro. Ndërkohë që zyrtarisht, Ministria e Financave ka njohur një borxh të akumuluar  vetëm prej 100 milionë eurosh, pa TVSH, vetëm në sektorin e ndërtimit të rrugëve. Ndërkohë që vetë ndërtuesit bëjnë apel që  qeveria ti shlyej borxhet në mënyrë që të mos falimentojnë dhe ti rikthehen rimëkëmbjes.Plani urbanistik  i Tiranës pritet që ti vijë në ndihmë ndërtuesve dhe të zhbllokojë dhënien e lejeve të reja në tregun më të madh të vendit. Por numri i pakët i lejeve dëshmon mbi të gjitha krizën e thellë që po kalon sektori i ndërtimit.