Berisha në “Facebook” për anëtarët: Përdorni votën tuaj jashtë çdo ndikimi
Kryeministri Sali Berisha, në një publikim në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, u ka drejtuar një mesazh të gjithë anëtarësisë së Partisë Demokratike, për t'i përshëndetur "për qëndrimin e qytetëruar dhe pritjen dinjitoze që po dëshmojnë në takimet me kandidatët në garë për kryetarë të Partisë Demokratike.Berisha ka theksuar se i tërë pushteti i PD-së qëndron tërësisht në votën e anëtarëve të PD-së dhe se në këtë garë të gjithë anëtarët e PD-së, pavarësisht me ose pa funksione partiake ose shtetërore, janë më të barabartë se kurrë.Kryeministri u ka bërë thirrje miqësore që të përdorin votën jashtë çdo ndikimi për të zgjedhur në krye të PD-së kandidatin që besojnë dhe vlerësojnë se do të udhëheq më me siguri drejt fitores së ardhme.“Mesazh drejtuar të gjithë anëtarësisë të PD-sëTë dashur miq, me këtë mesazh dua t'ju përshëndes përzemërsisht dhe të shpreh krenarinë time me ju anëtaret dhe antarët e PD-së, për qëndrimin e qytetëruar, pritjen dinjitoze që po dëshmoni në takimet me kandidatët tanë në garë për kryetar të Partisë Demokratike.Me këto qëndrime ju po ndërtoni një vlerë të re, një mekanizëm të ri të demokracisë sonë, atë të zgjedhjes direkte të liderit të PD-së. Kjo ka rëndesi kombëtare. Sot i tërë pushteti i PD-së qëndron tërësisht në votën tuaj. Në këtë garë të gjithë anëtarët e PD-së pavarësisht me ose pa funksione partiake ose shtetërore, jemi më të barabartë se kurrë në pushtetin tonë për zgjedhjen e liderit të ri të partisë sonë.Çdonjëri nga ne ka një dhe vetëm një votë. Me besim të plotë në mençurinë, vullnetin, ndershmërinë tuaj, ju ftoj miqësisht në interesin më të mirë tuajin dhe të PD-së, të përdorni votën tuaj jashtë çdo ndikimi për të zgjedhur në krye të PD-së kandidatin që ju besoni dhe vlerësoni se do të na udhëheqë më me siguri drejt fitores tonë të ardhme.Zoti ju bekoftë ju dhe Partinë Demokratike! Sb”, shkruan kryeministri Berisha në “Facebook”.