PS thirrje policisë: Garantoni sigurinë publike
Partia Socialiste ka reaguar sot për situatën kriminale në vend ndërsa u ka kërkuar policisë së shtetit të garantojë rendin dhe sigurinë në vend.Deputeti i PS-së Sajmir Tahiri është shprehur në një konferencë për shtyp se vendi po përjeton një përshkallëzim kriminal të paparë dhe të padëgjuar ndonjëherë. Sipas tij Shqipëria është zhytur në thundrën e kriminalitetit."I bëjmë sot thirrje të gjithë punonjësve dhe drejtuesve të ndershëm të Policisë së Shtetit: Ngrihuni në këmbë e bëni detyrën për të garantuar sigurinë publike dhe paprekshmërinë e qytetarëve shqiptarë! Tregoni se shteti është në këmbë pavarësisht se bien qeveritë! Tregoni se vetë Policia e Shtetit është në këmbë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve. I bëjmë thirrje oficerëve dhe punonjësve të përkushtuar të policisë së shtetit: Keni mbështetjen dhe besimin tonë për të bërë gjithçka është në dorën tuaj për të garantuar misionin kryesor: qytetarët shqiptarë kanë të drejtën absolute të jetojnë e të gëzojnë të qetë shëndetin, jetën dhe pronën e tyre dhe ne duhet ta garantojmë pa asnjë kusht" tha Tahiri.Tahiri theksoi se pas formimit të qeverisë së re do të fillojë edhe një kapitull i ri për policinë e shtetit por deri atëherë uniformat blu duhet të kryejnë detyrën e tyre duke ruajtur rendin dhe qetësinë publike."Pas shtatorit, do fillojë një kapitull i ri, edhe për Policinë e Shtetit. Por deri atëherë, mos braktisni ushtrimin e detyrës duke lënë qytetarët në mëshirë të krimit. Jepini qytetarëve shqiptar atë që meritojnë, qetësinë publike për të jetuar të lirë nga kërcënimi i krimit. Pas shtatorit, të gjithë bashkë, do rilindim shpirtin, misionin dhe fuqinë e shtetit ligjor, duke rilindur skuadrën e policisë së shtetit. I bëjmë thirrje dhe atyre pak njerëzve që në këto ditë, e çojnë nëpër mend të shkelin ligjin apo të lajnë hesape kriminale. Ndaluni dhe bëni llogaritë mirë, përndryshe koha që forca e ligjit dhe drejtësisë të bëjë llogaritë me ju, vjen më shpejt se ç’e mendoni!" përfundoi Tahiri.Burgaj në Lezhë: Jo ndikim nga tranzicioni i pushtetit, policia në gadishmëriNdërkohë gjatë një vizite në Lezhë, drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj kërkoi gadishmëri maksimale nga strukturat e policisë.Ndërsa ka zhvilluar një takim me drejtues të Policisë së qarkut të Lezhës, Shkodrës dhe të Kukësit, Burgaj paralajmëroi masa për çdo punonjës policie që neglizhon gjatë kryerjes së detyrës."Nuk duhet të ndikohemi nga tranzicioni i pushtetit dhe policia të jetë në gatishmëri. Do ndëshkohet çdo oficer policie që ka shfaqur neglizhencë në kryerjen e punës pasi kjo është e patolerueshme” është shprehur Burgaj.Krimi brenda familjes i ka marrë jetën 3 grave të vrara nga bashkëshortët. Ndërkohë fundjavën që lamë pas ndodhën 3 grabitje me armë, ku u plagosën 5 anëtare të një familje.