Sarandë, dhëndri vret vjehrrin, konflikti për çështje prone
Krimi brenda familjes ka goditur sërish. Këtë herë në rrethin e Sarandës, ku dhëndri ka vrarë me mjete të forta vjehrrin për një çështje pronësie.Ngjarja u shënua në fshatin Karahaxh të Sarandës.93-vjeçari Jani Koka mbeti i vrarë me mjete të forta pas një debati me dhëndrrin e familjes, 62-vjeçarin Kristo Gjino. Mësohet se Koka e Gjino fillimisht kanë debatuar ashpër me njëri tjetrin për një çështje pronësie. Debati ka degjeneruar në sharje e fyerje, derisa në gjaknxehtësi e sipër, dhëndri Kristo Gjino, 62-vjeç ka qëlluar vjehrrin e tij me një levë. Ndërkaq e plagosur ka mbetur edhe bashkëshortja e Kokës, e cila ka tentuar të ndalojë përleshjen mes dhëndrrit dhe burrit të saj.93-vjeçari ka ndërruar jetë për pasojë të goditjeve të marra, ndërsa bashkëshortja e tij konfirmohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Sarandës. Pas ngjarjes, blutë e qytetit jugor kanë vënë në pranga Kristo Gjinon, autorin e vrasjes.Ndërkaq, mësohet se palët grindeshin prej disa kohësh për banesën dhe një sipërfaqe toke që i kishte në pronësi 93-vjeçari. Krimet në familje janë shtuar ndjeshëm ditët e fundit, ndërsa vrasja në Sarandë është rasti i fundit që i shtohet listës. Ditën e Hënë dy raste të krimit në familje u shënuan në Tiranë dhe Mamurras, ku dy burra ekzekutuan me armë zjarri bashkëshortet e tyre.