Real interesohet për Balotellin por Milan e konsideron të pashitshëm
Edhe pse Milan në vitet e fundit ka shitur jo pak nga yjet e skuadrës, këtë merkato verore drejtuesit kuqezi duket se nuk do të bëjnë një gjë të tillë dhe kjo vjen me konfirmimin e talenteve, si El Sharaëi dhe së fundmi Baloteli. Drejtuesit e Djallit nuk kanë ndërmend ta shesin Mario “Supermarion” edhe pse së fundmi flitet për një interesim të Real Madrid për sulmuesin italian.Sipas “Corriere dello Sport”, trajneri i ri i madrilenëve, Karlo Ançelotti, e ka kërkuar ish futbollistin e Interit dhe Manchester Cityt, por që ka gjetur një përgjigje negative nga ana e klubit të Milan, pasi e konsiderojnë bomberin e tyre të pashitshëm përkundrejt çdo lloj shume. Baloteli është kthyer te skuadra e Milan në një lider të padiskutueshëm. Përshtaja e tij e shpejtë më pjesën e skuadrës dhe golat e realizuar me fanellën kuqezi, kanë bërë që drejtuesit ta blindojnë sulmuesin italian i cili shihet si njeriu kryesor për të udhëhequr skuadrën drejt fitoreve dhe trofeve.Nga ana tjetër, menaxheri i lojtarit Mino Rajola, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Baloteli të ndryshojë ambient në të ardhmen."Ai nuk do të lëviz për momentin nga Milan. Por, në futboll nuk i dihet kurrë. Mario nuk është në shitje tani për tani, por në të ardhmen gjithëçka ndodh", deklaroi menaxheri i lojtarit, Mino Raiola për mediat ndërkombtare."Milani e ka një projekt të rëndësishëm me Marion dhe ai është i lumtur në Milan. Pra, të jemi të qartë se sot për sot nuk do të lëviz, por nesër nuk e di... Është mjaft e vështirë për ekipet nga Serie A që t'i mbajnë lojtarët më të mirë në këtë moment, pasi ata i paguajnë vetëm sa 1/3 që paguajnë ekipet angleze dhe spanjolle", përfundoi Raiola.