Turi i Francës, etapën e 7-të e fiton çiklisti Peter Sagan
Në listën e fituesve mungonte vetëm ai. Më në fund edhe Peter Segan i bashkangjitet sprinterëve të tjerë dhe ia del mbanë të fitojë një etapë në këtë edicion jubilar të Turit të Francës, duke konsoliduar më tepër fanelën jeshile.Etapa e shtatë në Grande Bousle, ajo nga Montpelie në Albi, e gjatë 205,5 km përbënte shansin e vetëm të paktën edhe për disa ditë tjera për specialistët e shpejtësisë dhe gjërat sërish rrodhën në mënyrë normale, për shkak edhe të itinerarit fushor.Interesant është fakti se terminatori nuk u mërzit aspak për sprintin e humbur 24 orë më parë, kur u mund në vijën e finishit nga gjermani Greifel, madje i premtoi gazetarëve se shumë shpejt do të vinte radha e tij. Sidoqoftë çiklisti sllovak duket se kishte të drejtë, pasi falë edhe punës së shkëlqyer të shokëve të tjerë të ekipit, Segan arriti të triumfojë në sprintin e fundit, duke mundur konkurrentët e tjerë.Etapa e ditës së premte ishte një etapë tepër sfilitëse për tre ciklistë, Beklants, Gutier dhe Oroz, puna e madhe e të cilëve rezultoi e kotë, pasi shkëputjes së tyre i erdhi fundi pak para objektivit final dhe kjo treshe u arrit nga grupi kryesor vetëm 3 km para vijës së finishit. Pa Cavendish pranë Sagan fitoi etapën me një kohë prej 4h 54' 12" dhe së bashku me të kaluan me të njëjtën kohë edhe plot 91 çiklistët të tjerë.Prapa 23-vjecarit nga Zilina, u renditën gjermani Xhon Degenkolb i ekipit Argos Shimano si dhe italiani Daniele Bennati. Renditjen e përgjithshme vazhdon ta kryesojë afrikanojugori Daryl Impey, i cili ruan për të dytën ditë radhazi fanelën e verdhë, ndërsa pas tij vjen norvegjezi i skuadres Sky, Boasson Hegen.Etapa e tetë do të jetë ajo Kastres - Aks 3 Domains, e gjatë 195 km, që shënon edhe fillimin e etapave malore. Etapa e ditës së sotme do të mbyllet në 1.375 metra mbi nivelin e detit.