Ibrahimoviç dhe Bale i dërgojnë mesazhe dashurie Realit
Edhe pse dje flitej në të gjitha mediat franceze për një interesim të klubi të Monakos për sulmuesin e PSG-së, Zlatan Ibrahimoviçin, sot në lidhje me të ardhmen e gjigantit suedez kanë dalë në dritë disa aludime të reja për të ardhmen e bomberit me origjinë boshnjake.Sipas mediave spanjolle bëhet e ditur se bomberi i kampionëve të Francës i cili u shpall edhe golashënuesi më i mirë i kësaj Lige është vënë në shënjestër të skuadrës së Real Madrid. Sipas të përditshmes Iberike “AS” e cila ndodhet shumë pranë ekipit madrilenë thuhet se sulmuesi potent, Ibrahimoviç, mund të ndjekë gjurmët e trajnerit të tij, Karlo Anchelti.Ibra ia ka bërë të qartë dëshirën e tij agjentit Mino Raiola, dhe thuhet se boshnjaku me pasaportë suedeze e ka urdhëruar agjentin e tij që të kontaktojë klubin madrilene për një kalim të tij nga kryeqyteti francez drejt atij spanjoll. Transferimi i Ibrës në Madrid duket mision i vështirë, për faktin se PSG nuk dëshiron shitjen e yllit të tyre, megjithatë, në futboll kurrë nuk i dihet.Përveç Ibrahimoviç një dëshirë për të luajtur sezonet e ardhëshme me skuadrën e Real Madrid ka shprehur edhe lojtari më i kërkuar në këtë merkato verore, Garet Beil. Mesfushori i Totenham në një intervistë për mediat britanike ka shprehur qartë dëshirën e tij për të luajtur në një kampionat si ai i La Ligas."Më pëlqen kampionati spanjollë. Ata luajnë një futboll të hapur dhe shumë spektakolar. Jam në dijeni se skuadra e Real ka shprehur dëshirën për të më patur në skuadër dhe unë jam i lumtur për një fakt të tillë, pasi askush nuk mund ta mohonte dëshirën për të veshur fanellën e një skuadre legjendë në Europë që ka fituar 9 herë Chempions Ligën", ka përfunduar talenti Uellsian, Beil i cili me këtë deklaratë duket se u ka shkelur syrin madrilenëve.Sinjalet e Ibrahimoviç dhe Beil janë të qarta. Ata dëshirojnë të jenë pjesë e Madrilenëve por për tu arritur një bashkëpunim i mundshëm duhet të presim se cili do të jetë reagimi i stafit drejtues të skuadrës së Real.