Festimet në Kroaci shkrijnë “akullin” mes Kosovës dhe Serbisë
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka shkruar në rrjetet sociale se ka biseduar me ministrin serb Ivan Merkic për çështje politike që ndërlidhen me të ardhmen e dy vendeve.“Kam biseduar me ministrin e jashtëm serb Merkic dhe jemi pajtuar që normalizimi i raporteve është kyç për të dyja shtetet dhe të ardhmen tonë evropiane”, ka shkruar Hoxhaj.Ndërkohë, Hoxhaj ka shpërndarë në rrjetet sociale një fotografi në të cilën shihet së bashku me kryediplomatin serb, Ivan Merkic. Fotografia është bërë në vigjilje të ceremonisë për nder të anëtarësimit të Kroacisë në BE, të organizuar në Zagreb.
"Sot në Zagreb gjatë takimit me ministrat e Punëve të Jashtme të shteteve të rajonit, për nder të anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian. Së bashku me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Kroacisë, Vesna Pusić, ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Igor Lukshiç, ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Poposki, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zlatko Lagumdžija dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivan Mrkic", ka shkruar Hoxhaj.Ndërkaq edhe Presidentja e Kosovës Atifite Jahjaga është trajtuar e barabartë me homologet e saj në Zagreb.
Ndryshe nga herët e tjera, sot Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic nuk iu ka shmangur afërsisë me Presidenten e Kosovës.Në këtë foto të publikuar nga mediat kroate, Jahjaga e Nikolic qëndrojnë pranë njeri-tjetrit dhe bisedojnë edhe me pjesëmarrësit tjerë.