Dështimi në samitin e BE, partitë bëjnë përgjegjëse njëra-tjetrën
Zëvendëskryeministri për evrointegrime i Maqedonisë, Fatmir Besimi dhe partitë kanë shkëmbyer akuza lidhur me dështimin në Samitin e BE-së.Në konkluzat e Samitit që sot u mbyll në Bruksel, Maqedonia nuk ishte përfshirë në axhendën e Bashkimit Evropian (BE), ndërsa gjithashtu nuk ishte formuluar asnjë fjali për të ardhmen e vendit dhe inkurajimet për të qenë më pranë marrjes së datës për nisjen e negociatave për anëtarësim.Derisa në BE ekziston një shqetësim dhe dekurajim nga ngecjet e proceseve të evrointegrimeve dhe bllokimin e zgjidhjes së kontestit të emrit, në Shkup, partitë politike dhe zëvendëskryeministri Fatmir Besimi kanë shkëmbyer kritika për përgjegjësi, duke hedhur fajin ndaj njëra–tjetrës.Zëvendëskryeministri për evrointegrime i Maqedonisë, Fatmir Besimi deklaroi sot të gjitha subjektet politike janë përgjegjëse për procesin e evrointegrimeve të vendit.Ai bëri thirrje për përkushtim maksimal dhe gjithëpërfshirës të të gjitha partive politike në dialog me institucionet qeveritare.“Duhet që të gjithë të jemi të përfshirë në zgjidhjen e çështjeve të hapura që të arrijmë progres në rrugën drejt BE-së. Të kemi qëndrime të unifikuara, para se gjithash mendoj në çështjen e emrit. Në këtë drejtim janë bërë shumë angazhime, mbetet të përqendrohemi dhe ta realizojmë këtë qëllim”, theksoi zëvendëskryeministri Besimi në seancën parlamentare ku sot deputetët i parashtruan pyetje kabinetit qeveritar.Sipas tij, duhet të bisedohet hapur për sfidat, marrëdhëniet e mira fqinjësore si dhe dialogun politik në vend, duke konkretizuar qëndrimet për kontestin e emrit.Deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Bekim Fazliu theksoi se pikërisht zëvendëskryeministri është përgjegjës për mossuksesin dhe mosmarrjen e datës së sërishme për negociata. Sipas tij, për përparimin në eurointegrimet, përveç zgjidhjes të çështjes së emrit, duhet të plotësohen edhe kriteret tjera nga sfera e gjyqësisë, administratës, mediave.Edhe deputeti dhe ish-ministri i jashtëm nga radhët e VMRO-DPMNE, Antonio Milloshoski gjithashtu kërkoi përgjegjësi dhe dorëheqje nga zëvendëskryeministri për evrointegrime, Fatmir Besimi, për shkak të dështimit të vendit për marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE. Maqedonia sot dështoi në Samitin e Bashkimit Evropian, pasi që ajo nuk u përfshi në asnjë nga konkluzat e miratuara nga ky takim i nivelit të lartë evropian.