Haradinaj: Qeverisja Thaçi e dështuar, VV në rrugë të gabuar
Qeverisja e udhëhequr nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është e një kualiteti të dobët dhe se kjo qeveri ka dështuar të arrijë sukses, duke bërë që në shumë sektor të ketë vetëm regres.Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, është në një rrugë të gabuar dhe se ajo duhet t’i ndalë veprimet e saj, të cilat janë në dëm të vendit dhe qytetarëve. Kështu ka deklaruar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Kuvendin e Punës së Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë.Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se Kosova me gjithë njohjet që ka marrë, me gjithë anëtarësimin në institucione ndërkombëtare, ka shumë rrugë para vetës. Andaj sipas tij çdo forcë politike e nivelit nacional, është e obliguar dhe mban përgjegjësi që t’i ndihmojë Kosovës në avancimin e pozicionit të saj. Haradinaj i cili e quan të dështuar qeverisjen Thaçi, pohon se AAK do t’i jap Kosovës, një zhvillim të ri qeverisës.Haradinaj i cili foli për partitë më të mëdha në vend tha se PDK është një parti e aftë, e zhvilluar dhe me aftësi shtesë, por jo të ligjshme për të ardhur në pushtet, gjë që ka ndodhur me rastin e manipulimit të votave, me të vetmin qëllim ardhjes në pushtet. Haradinaj tha se PDK ardhjen në pushtet e mendon si arritje dhe jo si nisje.Në fjalimin e Haradinaj, nuk mungoi as vlerësimi për Lëvizjen Vetëvendosje, për të cilën thotë se është në rrugë të gabuar dhe se duhet të ndalet me këto veprime të gabuara të cilat po vazhdon t’i bëjë.Logjika që mos t’ i lejojë Kosovës, parlamentarëve dhe qytetarëve të vendit për ta zbatuar marrëveshjen, me qëllim të shtrirjes së juridiksionit në veri të vendit, sipas tij është një gabim i madh.AAK siç pohoi Haradinaj, është besnike në këtë proces dhe do ta shtyj atë përpara, pasi që e din se ku do të mbërrij këtë proces. Ai tha se e di që ky proces është i ndjeshëm dhe ka të meta, por nuk do të heqin dorë, për t’i dhënë përkrahjen e tyre deri në sukses.Haradinaj po ashtu duke folur për LDK-në tha se kjo parti po mundohet ta konsolidojë trashëgiminë, duke mos krijuar një vlerë të re dhe se tradita dhe historia, nuk mjafton dhe nuk e përmbushin kërkesën e qytetarëve.Ndërsa nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala tha se ky vit do të jetë shumë i rëndësishëm për Prishtinën, për Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e saj, pasi që vendi është lodhur me dështime.Këtij shteti e gjithashtu Prishtinës, sipas Shalës i duhet përkushtimi, puna dhe mbi të gjitha përgjegjësia e politikanëve të vendit, e jo përbuzja dhe poshtërimi i tyre.Ndërsa kandidati i AAK-së për Prishtinën, Besnik Tahiri tha se në Prishtinë, po ndodh devalvimi i faktorit njeri dhe injorimi i kapacitetit të njerëzve profesionist, që kanë jashtëzakonisht shumë me i dhënë jo vetëm Prishtinës por edhe Kosovës.