Ratifikohet marrëveshja Kosovë-Serbi
Parlamenti i Kosovës me 84 vota ratifikoi marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.Votimi u krye me prani të forcave të sigurisë së Parlamentit, të cilët larguan me forcë deputetët e lëvizjes Vetëvendosje, që po pamundësonin votimin duke qëndruar në foltoren e Parlamentit.Dhjetëra veprimtarë të kësaj lëvizjeje janë arrestuar gjatë protestës që po mbahet në Prishtinë në kundërshtim të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Përplasjet ndërmjet Vetëvendosjes dhe policisë si dhe protesta e deputetëve të kësaj lëvizjeje brenda Parlamentit, bënë që të ndërpriten disa herë me radhë punimet e Parlamentit.Policia përdori gazin lotsjellës për të mundësuar hyrjen e deputetëve të Parlament.Ndaj protestës reagoi edhe ambasada amerikane në Prishtinë, meqë ambasadorjaTracey Jacobson dhe personeli i saj u penguan fizikisht nga protestuesit e Vetëvendosjes për të hyrë dhe marrë pjesë në seancën e rregullt parlamentare.Në një komunikatë për opinion të ambasadës thuhet se “Shtetet e Bashkuara respektojnë të drejtat e qytetarëve për lirinë e shprehjes, njëkohësisht dënon përdorimin e taktikave të dhunshme në pengimin e procesit demokratik. Liria e shprehjes nuk do të thotë kufizimi i lirisë së lëvizjes për të tjerë. Duke u mbështetur vazhdimisht në taktika të dhunshme, Vetëvendosja dëmton reputacionin e Kosovës së një demokracie në zhvillim”.Marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pritet të zbatohet deri në fund të këtij viti dhe ajo siguron një shkallë të lartë të autonomisë për komunat veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.Të martën ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian u pajtuan të fillojnë negociatat për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Kosovën, ndërsa në janar të vitit që po vjen ato për anëtarësim të Serbisë, si shpërblim për marrëveshjen.